SYRI TV/ 27% e popullsisë drejt varfërisë ekstreme, pensionistët 'në mëshirë të fatit'

Rreth 27% e popullsisë së Shqipërisë në moshë pensioni po shkon në mënyrë të pashmangshme drejt kufirit të varfërisë ekstreme. Të dhënat zyrtare dëshmojnë se pagesa mesatare e brezit që doli në pension në vitin 2025 ishte 16 mijë lekë, ndërsa 55% e të gjithë pensionistëve në vend trajtohen me pensione të pjesshme, vlera e të cilave nuk i kalon mesatarisht 13,500 lekë në muaj. Sondazhet tregojnë se mbi 87% e të moshuarve nuk i mbulojnë dot nevojat e tyre me pensionin që marrin.

27% e popullsisë në moshë pensioni po shtyhet në mënyrë të pashmangshme drejt kufirit të varfërisë ekstreme, duke mbetur jashtë përfitimeve të rritjes ekonomike. Të dhënat më të fundit zyrtare, të cilat janë hulumtuar nga revista Monitor, dëshmojnë se pagesa mesatare e brezit që doli në pension në vitin 2025 ishte 16 mijë lekë, me një rënie vjetore prej 3%, ndërsa 55% e të gjithë pensionistëve në vend trajtohen me pensione të pjesshme, vlera e të cilave nuk i kalon mesatarisht 13,500 lekë në muaj. Kjo gjendje bie ndesh me statusin e Shqipërisë si vend me të ardhura mesatare të larta, ku kufiri i varfërisë, sipas Bankës Botërore, kërkon një minimum prej 249 dollarësh në muaj. Skema publike e pensioneve po përkeqësohet për shkak të prishjes së raportit të varësisë midis atyre që paguajnë dhe atyre që përfitojnë, ndërsa barra e mbijetesës së pensionistëve po transferohet te fëmijët dhe familjet e tyre, duke krijuar një efekt zinxhir. Sondazhet tregojnë se mbi 87% e të moshuarve nuk i mbulojnë dot nevojat e tyre me pensionin që marrin.

Pavarësisht se midis viteve 2021 dhe 2025 ekonomia e vendit përjetoi një zgjerim prej mbi 24%, kjo rritje nuk u përkthye asnjëherë në përfitime për pensionistët dhe personat nën mbrojtje sociale.

Përkundrazi, të ardhurat e tyre reale kanë pësuar rënie. Rritja drastike e kostove të jetesës dhe inflacioni i lartë kanë zhvlerësuar plotësisht fuqinë e tyre blerëse, duke shtyrë 27% të popullsisë në moshë pensioni në mënyrë të pashmangshme drejt kufirit të varfërisë ekstreme. Origjina e kësaj krize shtrihet që nga viti 2014, kur u ndërmor reforma e fundit e pensioneve. Përmes kritereve për vitet e punës, reforma i bëri të paarritshme standardet për të përfituar një pagesë të plotë dhe, sot e kësaj dite, qeveria po vonohet për të korrigjuar këto gabime.

Vetëm vitin e kaluar, 30 mijë pensionistë të rinj hynë në skemën e sigurimeve shoqërore, një shifër kjo gati dyfish më e lartë se mesatarja e dekadës së fundit.

Ky fluks e ka çuar numrin e pensioneve të pleqërisë në mbi 641 mijë, çka përbën 27% të së gjithë popullsisë së vendit. Por, teksa suksesi i një qeverisjeje matet pikërisht me prosperitetin që ajo është e aftë të krijojë për shtresat më të dobëta të shoqërisë, në Shqipëri po ndodh e kundërta, pasi vit pas viti pensionet e reja të pleqërisë po vijnë në ulje.