SYRI TV/ Antimafia italiane godet rrjetet e drogës, Shqipëria vendi furnizues, zbardhen emrat
Mediat italiane kanë zbardhur emrat e 2 shqiptarëve të arrestuar nga Antimafia për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës. Fjala është për shtetasit Myrteza Balliu, 33 vjeç, dhe Adi Çoba, 35 vjeç. Sipas hetimeve të Antimafias, Shqipëria ka shërbyer si vendi furnizues i drogës për të dyja grupet kriminale të goditura. Heroina, kokaina dhe marijuana mbërrinin nga Shqipëria, ndërsa transporti kryhej me korrierë shqiptarë, gra dhe fëmijë.
Në agim të ditës së djeshme, Drejtoria Hetimore Antimafia ekzekutoi operacionin “Whisper”, i cili çoi në 23 masa sigurie ndaj personave të dyshuar si pjesëtarë të dy organizatave të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës midis Shqipërisë, Kalabrisë dhe Salentos.
Njëzet e një të hetuar u dërguan në burg, ndërsa dy të tjerë u vendosën në arrest shtëpie, në zbatim të urdhrit për hetimet paraprake të Gjykatës së Leçes, me kërkesë të Prokurorisë së Drejtorisë Antimafia. Mediat italiane kanë zbardhur emrat e të arrestuarve, mes të cilëve janë edhe 2 shtetasit shqiptarë: Myrteza Balliu, 33 vjeç, dhe Adi Çoba, 35 vjeç.
Masat u ekzekutuan në 6 provinca të rajonit të Puljas, ku Antimafia goditi grupe të dyshuara aktive në trafikun e kokainës, heroinës, marijuanës dhe hashashit.
Prokuroria Antimafia thekson se rrjeti shqiptar ishte hallka kryesore e furnizimit me drogë.
Heroina, kokaina dhe marijuana mbërrinin nga Shqipëria, ndërsa transporti kryhej me korrierë shqiptarë, gra dhe madje edhe të mitur.
Një nga metodat e përdorura ishte transporti me autobusët e linjës ndërkombëtare Itali–Shqipëri, ku korrierët lëviznin vazhdimisht në të dy drejtimet.
Hetimi “Whisper” lindi si vazhdim i rezultateve të një hetimi të mëparshëm, të quajtur “URA”, i cili kishte dokumentuar tashmë një trafik të gjerë droge midis Durrësit dhe Pulias. Emri i operacionit të ri i referohet mënyrës së komunikimit që u atribuohet të dyshuarve, të cilët flisnin pothuajse me pëshpëritje dhe me kujdes të madh për të zvogëluar rrezikun e përgjimeve.
Operacioni “Whisper” konsiderohet faza përfundimtare e hetimit të nisur me dosjen “Ura” dhe konfirmon, sipas autoriteteve italiane, rolin qendror që kishin rrjetet shqiptare në furnizimin me heroinë, kokainë dhe marijuanë të organizatave kriminale që vepronin në jug të Italisë.