Kabllogrami i Rubios/ Berisha: Ekstremizmi i majtë është rrezik madhor, këto organizata janë sponsorizuar nga Sorosi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, komentoi kabllogramin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për organizatat e ekstremit të majtë.

Berisha deklaroi se ekstremizmi i majtë përbën një nga rreziqet më të mëdha të kohës, ndërsa akuzoi organizata të shoqërisë civile se janë krijuar me financime të George Sorosit dhe se përbëjnë, sipas tij, kërcënim për demokracinë. Ai pretendoi gjithashtu se këto organizata ndikojnë në media dhe përdorin censurën.

FJALA E BERISHËS:

Alban Imeri: Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë një kabllogram për ambasadat amerikane ku kërkon informacione për organizatat e majta ekstreme. Gjithashtu janë bërë ftesa për 60 zyrtarë të lartë për një takim në SHBA në lidhje me këtë rrymë të majtë ekstreme. Si e komentoni ju?

Sali Berisha: Unë jam i bindur, dhe kam qenë i bindur, se ekstremizmi i majtë është një nga rreziqet më madhore të kohës.  E kam theksuar edhe radhën e fundit ose të parafundit, kam treguar rastin se gjatë kohës në diktaturë komuniste, Enver Hoxha u nda nga të gjitha vendet ish-komuniste se i quajti ato revizioniste. 
Dhe këtu në Shqipëri na vinin njëri pas tjetrit delegacione të ekstremizmit të majtë, partive marksiste-leniniste. Këto vinin dhe mbanin fjalime, më kujtohet sesi na thoshin se lirinë që keni ju, nuk e ka kush në botë, se meksikanët apo amerikanët apo belgët apo francezët duhet të frymëzohen nga ju. 

Po këto ishin një numër i kufizuar partisë marksiste-leniniste që kishin epiqendër Pekinin dhe pastaj Tiranën. Në fakt disa prej tyre kishin dhe lëvizje të armatosura guerile. 
Mirëpo pas rënies së Perdes së Hekurt, me financimet e George Soros në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në dhjetëra e dhjetëra vende të botës, u krijuan me qindra mijëra organizata të ashtuquajtura të shoqërisë civile, që të gjitha ekstrem i majtë. 

Dhe ato si në Shqipëri dhe kudo që janë, përbëjnë një rrezik dhe kërcënim serioz për demokracinë, paqen në këto vende. Këto organizata në çdo kohë janë të gatshme për motive ideologjike të ndërmarrin aksione dhe veprime antikushtetuese, antiligjore.  Këto organizata kontrollojnë median në shumicë, censurojnë, përdorin censurën. Përdorin llogari të rreme, përdorin hienat.  Po lexoja para tre ditësh një analizë të një gazete, e cila në tërësi nuk është dashamirëse ndaj Partisë Demokratike, por tregonte sesi kampionë të hienave anonime kundër Sali Berishës ishin shërbëtorët e Edi Ramës, Mjero dhe Bolino, me emra të ndryshëm e të tjerë e të tjerë. 

Pra në tërësi ekstremizmi i majtë përbën një rrezik serioz për shoqëritë e lira dhe vlerat e demokracisë.