Aksident i rëndë në Mirditë/ 16-vjeçari humb kontrollin e makinës, plagosen 6 të mitur kushërinj

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e së premtes në zonën e Fanit, në Mirditë, ku kanë mbetur të plagosur gjashtë të mitur, të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti dyshohet se drejtohej nga një 16-vjeçar, i cili e kishte marrë mjetin pa leje. Për shkaqe që janë ende nën hetim, ai ka humbur kontrollin e automjetit, duke u përplasur me një shtyllë ndriçimi.

Si pasojë e përplasjes, të gjashtë të miturit kanë pësuar lëndime. Mësohet se një vajzë 12-vjeçare dyshohet se ka pësuar thyerje të legenit, ndërsa dy të mitur të tjerë kanë marrë fraktura në duar dhe këmbë. Katër të plagosurit e tjerë kanë pësuar dëmtime të ndryshme.

Të lënduarit morën fillimisht ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u transportuan drejt spitaleve në Tiranë për trajtim më të specializuar. Për transportimin e tyre u angazhuan gjashtë autoambulanca.

Sipas të dhënave paraprake, fatmirësisht të gjashtë të miturit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kryen veprimet procedurale dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Ndërkohë, 16-vjeçari është proceduar në përputhje me ligjin, ndërsa hetimet vijojnë për përcaktimin e shkaqeve të sakta të ngjarjes.