De la Fuente lavdëron Merinon: Perfekt për këtë skuaër, e padrejtë që luan pak...

Spanja siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e Botërorit 2026 pas fitores 2-1 ndaj Belgjikës, ndërsa trajneri Luis de la Fuente nuk i kurseu elozhet për skuadrën e tij dhe veçanërisht për Mikel Merinon, autor i golit vendimtar.

Falë këtij suksesi, De la Fuente u bë trajneri i tretë në historinë e Spanjës që e çon kombëtaren mes katër më të mirave të Botës, pas Guillermo Eizaguirre-s në vitin 1950 dhe Vicente del Bosque-s në vitin 2010.

Merino u shndërrua sërish në heroin e “La Roja”-s, ashtu si në ndeshjen ndaj Portugalisë në 1/8-at e finales. Mesfushori i Arsenalit u aktivizua në minutën e 86-të dhe vetëm dy minuta më vonë realizoi golin që vulosi kualifikimin e Spanjës.

“Ky ekip tregon karakter në çdo situatë. Jam shumë krenar që drejtoj këtë grup, i cili dëshiron të rritet dhe të përmirësohet vazhdimisht. Bëmë mjaftueshëm për ta fituar ndeshjen më qetësisht, por duhet të pranojmë se fitoret nuk janë kurrë të lehta”, deklaroi De la Fuente.

Trajneri spanjoll vlerësoi edhe cilësitë e Merinos.

“Ai ka shumë virtyte dhe mund të luante në çdo klub apo kombëtare. Është perfekt për këtë skuadër dhe për stilin tonë të lojës. E dimë se sa herë kemi nevojë për të, ai do të jetë gati. Është e padrejtë që nuk luan më shumë, por po aq e padrejtë do të ishte të lija jashtë një lojtar tjetër. Vetëm 11 mund të zbresin në fushë dhe të gjithë e kuptojnë rolin e tyre”, shtoi ai.

Duke folur për gjysmëfinalen ndaj Francës, De la Fuente u shpreh optimist.

“Do të punojmë fort për ta mposhtur Francën. Ata do të jenë po aq të shqetësuar sa ne, sepse jemi e vetmja skuadër në botë që i ka mundur në dy ndeshje radhazi.”