Paralajmërimi i Courtois: Nëse Federata nuk është dakord, ndoshta kjo ishte ndeshja ime e fundit me Belgjikën
Belgjika mori një goditje të rëndë në çerekfinalen e Botërorit 2026 ndaj Spanjës, pasi portieri Thibaut Courtois u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi. ‘Gardiani’ i Real Madridit, një nga më të mirët e belgëve gjatë ndeshjes, u zëvendësua në minutën e 72-të dhe u largua nga stadiumi “SoFi” me lot në sy.
Dëmtimi ndodhi në minutën e 67-të, në një moment krejtësisht të rastësishëm. Courtois u ul në tokë dhe kërkoi ndihmën e stafit mjekësor. Pas një ndërprerjeje për hidratim, ai u rikthye në lojë, por vetëm për pak minuta, pasi nuk mundi të vazhdonte dhe ia la vendin Lemmens.
Pas ndeshjes, portieri belg hodhi dyshime për të ardhmen e tij me kombëtaren.
“Sa i përket të ardhmes sime me Belgjikën, do të shohim. Do të doja të bëja një pushim gjatë Nations League, pasi nuk është kompeticioni më i rëndësishëm, dhe të rikthehesha për eliminatoret e Europianit. Por në fund është Federata ajo që vendos. Nëse nuk e sheh këtë si zgjidhje, ndoshta kjo ishte ndeshja ime e fundit me kombëtaren”, deklaroi ai.
Courtois shpjegoi edhe momentin e dëmtimit.
“Në një goditje të gjatë ndjeva diçka. Mendova se ishte thjesht lodhje në muskujt e kofshës, pasi kisha bërë shumë pasime të gjata. U përpoqa të vazhdoja, por nuk mund ta godisja më topin siç duhet. Trajneri më tha se nëse nuk isha 100% gati, do të më zëvendësonte. Doja të vazhdoja, por ishte e pamundur”, tha ai.
Portieri i Real Madridit, i cili ka kaluar disa dëmtime serioze gjatë viteve të fundit, shpreson që problemi i fundit të mos jetë i rëndë.
“Shpresoj që rezonanca magnetike të tregojë se nuk ka asgjë serioze. Besoj se nga mesi i gushtit do të jem plotësisht gati për të nisur sezonin e ri me Real Madridin”, u shpreh Courtois.
Duke analizuar eliminimin ndaj Spanjës, ai tha se ekipi zhvilloi një ndeshje të mirë.
“Ishte fat i keq që topi i devijuar përfundoi te Fabián Ruiz. Në pjesën e dytë Spanja krijoi më shumë raste, por unë ndihesha mirë në portë. Ta shënosh një gol Spanjës është e vështirë dhe ne duhej të bënim diçka më shumë.”
Courtois mbrojti edhe portierin Lemmens pas gabimit që solli golin vendimtar të Mikel Merinos.
“Fusha ishte shumë e thatë dhe ishte një moment i pafat. Nuk duhet ta fajësojmë djalin. Ai është një portier i shkëlqyer, ka zhvilluar një sezon shumë të mirë me Manchester United dhe nuk e meriton këtë kritikë”, përfundoi portieri belg.