Të vdekur nga zjarri në pyje në Andaluzi
Mot i thatë dhe temperatura të larta: Spanja përballet shpesh me zjarre të mëdha pyjore. Nga një zjarr që shpërtheu në Andaluzí, të paktën 12 persona humbën jetën, mes tyre me gjasë edhe shtetas britanikë.
Zjarri shpërtheu të enjten (09.07.2026) pasdite në komunën Los Gallardos, në provincën Almería, rreth 300 kilometra në verilindje të Málagës. Disa nga viktimat mbetën të bllokuara në automjetet e tyre nga flakët dhe u dogjën, raportoi televizioni shtetëror spanjoll RTVE.
Katër persona vdiqën në automjetin e tyre
Shumë të plagosur janë transportuar në spitale dhe po marrin trajtim mjekësor. Sipas autoriteteve, 23 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Antonio Sanz tha se katër persona humbën jetën gjatë përpjekjes për t'u larguar me makinë. Ka gjasa që ata të kenë qenë britanikë, pasi automjeti i tyre kishte timonin në anën e djathtë. Shtatë persona të tjerë u gjetën të vdekur; besohet se ata kishin braktisur automjetet dhe ishin përpjekur të shpëtonin në këmbë. Viktimat ende nuk janë identifikuar zyrtarisht.
Shkaku i mundshëm: një kabllo elektrike e këputur
Autoritetet po hetojnë mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar nga një linjë elektrike e këputur, e cila ra mbi bimësinë tepër të tharë.
Shërbimet e emergjencës morën më shumë se 150 telefonata nga qytetarët që njoftonin për zjarrin. Dëshmitarët raportuan se një kabllo e rrëzuar kishte ndezur flakët. Megjithatë, autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar përfundimisht këtë version.
Ngjarja ndodhi pranë një rruge të rëndësishme dhe flakët u përhapën me shpejtësi drejt zonave pyjore përreth.
Nuk pati alarm përmes rrjetit celular
Sipas kryeministrit të Andaluzisë, Juanma Moreno, ekspertët kishin rekomanduar të mos dërgohej një alarm përmes telefonisë celulare, sepse situata do të kërkonte disa paralajmërime të njëkohshme, gjë që nuk ishte teknikisht e mundur.
"Një tragjedi e paprecedentë”
Si masë paraprake, më shumë se 1.000 banorë të zonave përreth u evakuuan. Edhe një kamping, megjithëse nuk ishte prekur nga flakët, u zbraz për arsye sigurie.
Mbi 460 forca emergjente po luftojnë kundër zjarrit, i cili është përhapur në më shumë se 3.100 hektarë. Në operacion marrin pjesë zjarrfikës, specialistë të zjarreve pyjore dhe njësia ushtarake spanjolle për mbrojtjen civile (UME). Avionë dhe helikopterë zjarrfikës po mbështesin operacionin nga ajri.
Ministri i Shëndetësisë e përshkroi ngjarjen si një "tragjedi të paprecedentë”, duke e quajtur zjarrin pyjor me pasojat më të rënda që Andaluzia ka përjetuar deri më tani.
Vala e të nxehtit favorizon zjarret
Spanja, ashtu si Portugalia dhe Franca, po përjeton një valë të fortë të nxehti. Në disa rajone është shpallur niveli më i lartë i alarmit për temperatura ekstreme.
Moti i thatë dhe temperaturat e larta favorizojnë shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, që nga fillimi i vitit, zjarret në Spanjë kanë shkatërruar më shumë se 50.000 hektarë tokë.
Edhe në Francë dhe Portugali, zjarrfikësit janë përballur ditët e fundit me disa zjarre të mëdha pyjore./DW