Kina bllokon përkohësisht eksportin e heliumit, një element kyç për prodhimin e çipave
Kina tha sot se ka bllokuar përkohësisht eksportet e heliumit, një element kyç për prodhimin e çipave, ndërsa përshkallëzimi i luftës në Iran shton ndërprerjet e furnizimit në të gjithë botën.
Ministria e Tregtisë e Kinës dhe agjencia e saj doganore thanë në një deklaratë të shkurtër se po vendosin një ndalim të përkohshëm për eksportet e heliumit, që hyn në fuqi menjëherë, në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Tregtinë e Jashtme.
Heliumi është një element kyç për prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe përdoret gjithashtu në sektorin mjekësor, për shembull për të ftohur makinat e imazherisë me rezonancë magnetike.
Që nga fillimi i luftës në Iran në fund të shkurtit, furnizimi global me helium është ndërprerë dhe çmimet janë rritur ndjeshëm.
Kina prodhon vetëm rreth 15 përqind të sasisë totale të heliumit që përdor, dhe pjesa më e madhe e tij importohet nga Katari, i cili, sipas vlerësimeve, gjeneron një të tretën e furnizimeve botërore.
Analistët thonë se Kina po kërkon të mbrojë industritë e saj, pasi furnizimi global me helium është bërë i kufizuar dhe ata thonë se Pekini ka shumë të ngjarë të vendosë kontrolle në eksport për të siguruar furnizimin për përdorim lokal, jo për arsye politike.
Ky veprim vjen ndërsa Kina përparon drejt vetëmjaftueshmërisë në prodhimin e çipave dhe inteligjencën artificiale, ndërsa gara e saj teknologjike me SHBA-në po nxehet.