Pensioni që nuk del: 27% e popullsisë në moshë pensioni drejt kufirit të varfërisë ekstreme
27% e popullsisë në moshë pensioni po shtyhet në mënyrë të pashmangshme drejt kufirit të varfërisë ekstreme, duke mbetur jashtë përfitimeve të rritjes ekonomike. Të dhënat më të fundit zyrtare dëshmojnë se pagesa mesatare e brezit që doli në pension në vitin 2025 ishte 16 mijë lekë, me rënie vjetore 3%, teksa 55% e të gjithë pensionistëve në vend trajtohen me pensione të pjesshme, vlera e të cilave nuk i kalon mesatarisht 13,500 lekë në muaj. Kjo gjendje bie ndesh me statusin e Shqipërisë si vend me të ardhura mesatare të larta, ku kufiri i varfërisë sipas Bankës Botërore kërkon minimumi 249 dollarë në muaj. Skema publike e pensioneve po përkeqësohet për shkak të prishjes së raportit të varësisë midis atyre që paguajnë dhe atyre që përfitojnë, teksa barra e mbijetesës së pensionistëve po transferohet te fëmijët dhe familjet e tyre, duke krijuar efekt zinxhir. Sondazhet tregojnë se mbi 87% e të moshuarve nuk i mbulojnë dot nevojat me pensionin e tyre
Paradoksi më i madh i rimëkëmbjes ekonomike shqiptare pas pandemisë qëndron në hendekun e madh të krijuar mes rritjes ekonomike dhe varfërimit të moshës së tretë.
Pavarësisht se midis viteve 2021 dhe 2025, ekonomia e vendit përjetoi një zgjerim prej mbi 24%, kjo rritje nuk u përkthye asnjëherë në përfitime për pensionistët dhe personat nën mbrojtje sociale.
Përkundrazi, të ardhurat e tyre reale kanë pësuar rënie. Rritja drastike e kostove të jetesës dhe inflacioni i lartë kanë zhvlerësuar plotësisht fuqinë e tyre blerëse, duke shtyrë 27% të popullsisë në moshë pensioni në mënyrë të pashmangshme drejt kufirit të varfërisë ekstreme.
Të dhënat e fundit zyrtare dëshmojnë përmasat e kësaj krize sociale. Pensioni mesatar i brezit të ri të pensionistëve vitin e kaluar ra në vetëm 16 mijë lekë, ose 3% më pak krahasuar me ata që dolën në pension në vitin 2024.
Të ardhurat e kësaj shtrese kanë humbur jo vetëm betejën me çmimet e tregut, por po pësojnë rënie të pastër në vlerë neto. Vitin e kaluar, rreth 55% nga 641,085 pensionistët e vendit trajtoheshin me pension të pjesshëm, në një kohë kur vlera mesatare e kësaj pagese ishte vetëm 13,500 lekë.
Kjo gjendje bie ndesh me statusin ndërkombëtar të vendit. Shqipëria, e klasifikuar tashmë si një vend me të ardhura mesatare të larta, ka një kufi varfërie të përcaktuar nga Banka Botërore prej 8.3 USD shpenzime ditore për frymë, gjë që nënkupton se minimumi jetik i llogaritur për vendin duhet të jetë të paktën 249 dollarë në muaj.
Origjina e kësaj krize shtrihet që nga viti 2014, kur u ndërmor reforma e fundit e pensioneve. Përmes kritereve për vitet e punës, reforma i bëri të paarritshme standardet për të përfituar një pagesë të plotë, dhe sot e kësaj dite, qeveria po vonohet për të korrigjuar këto gabime.
Ndryshimet e shpeshta dhe të pandërprera në organizimin e ministrive lanë pas dore një reformë të re që kishte nisur posaçërisht për pensionet, ndërkohë që armata e kësaj shtrese po rritet me ritme të frikshme.
Vetëm vitin e kaluar, 30 mijë pensionistë të rinj hynë në skemën e sigurimeve shoqërore, një shifër kjo gati dyfish më e lartë se mesatarja e dekadës së fundit.
Ky fluks e ka çuar numrin e pensioneve të pleqërisë në mbi 641 mijë, çka përbën 27% të së gjithë popullsisë së vendit. Por, teksa suksesi i një qeverisjeje matet pikërisht me prosperitetin që ajo është e aftë të krijojë për shtresat më të dobëta të shoqërisë, në Shqipëri po ndodh e kundërta, pasi vit pas viti, pensionet e reja të pleqërisë po vijnë në ulje.
Pensionistët shqiptarë jo vetëm që u përjashtuan nga përfitimet e rritjes ekonomike, por përkundrazi, po paguajnë faturën dhe kostot më të larta që erdhën si pasojë e rritjes së pagave dhe të ardhurave të tjera që pjesa tjetër e shoqërisë përfitoi, në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme.
Numri i pensionistëve po rritet më shpejt se ai i kontribuuesve
Sistemi shqiptar i pensioneve po përballet me rritje më të fortë të numrit të përfituesve nga skema e pensioneve se sa kontribuuesve. Të dhënat më të fundit dëshmojnë për një thyerje të trendit historik.
Numri i pensionistëve të pleqërisë ka shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur në 641,085 përfitues në vitin 2025, krahasuar me rreth 557 mijë në vitin 2021.
Gjatë pesë viteve të fundit, mbi 84,000 pensionistë janë shtuar më shumë në sistem, teksa vetëm në vitin e shkuar, numri i personave që dolën në pension arriti në 33,518, gati dyfishi në krahasim me vitin paraardhës.
Zgjerimi nuk do të ishte problematik nëse skema publike do të regjistronte rritje proporcionale të numrit të kontribuuesve. Skema shqiptare funksionon mbi modelin tradicional të solidaritetit ndërmjet brezave, ku kontributet direkte të forcës aktuale të punës financojnë në kohë reale pensionet e brezit të tretë.
Ky model garanton qëndrueshmëri financiare vetëm nëse raporti i varësisë midis atyre që paguajnë dhe atyre që përfitojnë mbetet i favorshëm, mirëpo pikërisht ky raport po pëson rrëshqitje negative vit pas viti. Teksa pensionistët në skemë u shtuan me 84 mijë nga 2021 në 2025, kontribuuesit u shtuan me 80 mijë.
Madje në vitin 2025, raporti u përkeqësua më tej pasi numri i pensionistëve që hynë në skemë ishte 23% më i madh se ai i kontribuuesve të rinj. Këto zhvillime më shumë se informalitetin në tregun e punës kanë si shkak zhvillimet demografike ku plakja progresive e popullsisë po përshpejtohet në mënyrë drastike nga hemorragjia migratore e të rinjve.
Pas pandemisë 2021 – 2025, mbi 166.4 mijë shqiptarë kanë emigruar më shumë se janë kthyer raportoi INSTAT, shumica e të cilëve janë të rinj. Kjo shtresë produktive që largohet nga vendi derdh kontributet e saj në sistemet gjermane, italiane apo angleze.
Në vend mbeten prindërit dhe gjyshërit, të cilët pasi dalin në pension, detyrohen të mbështeten mbi një bazë gjithnjë e më të ngushtë dhe të pafuqishme të kontribuuesve vendas, duke rritur deficitin e skemës dhe duke përfituar pensione minimale.
Këtij ekuacioni të vështirë i shtohet edhe zgjatja e kohës së gëzimit të pensionit, ku vitet mesatare pas pensionit kanë arritur në 23 vjet nga 22.4 vite që ishte në vitin 2021. Rritja e jetëgjatësisë po rrit kohën e gëzimit të pensionit nga viti në vit, duke i rritur më tej shpenzimet.
Me rritjen e numrit të pensionistëve po krijohet një presion social. Vitin e fundit, qeveria ka miratuar një bonus mujor si shtesë mbi pensionin që është më pak se 900 lekë në muaj. Për shkak të problematikës që mbart politika e pensioneve bie shpesh peng e cikleve elektorale dhe interesave të çastit, duke shtyrë vazhdimisht reformat e thella strukturore për më vonë dhe kjo krijon kosto për të gjitha palët.
Në vitin 2021, për çdo pensionist pleqërie kishte 1.42 kontribuues aktivë në sistem. Në vitin 2025, ky raport ka rënë në 1.36. Diferenca prej 0.06 pikësh duket minimale, por trendi është i vazhdueshëm.
Nëse nuk ndërhyhet, sistemi po i afrohet një pike ku baza kontributive nuk do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar detyrimet. Përveç numrit të ulët të kontribuuesve, Shqipëria përballet me informalitetin e lartë të pagave.
Sipas të dhënave zyrtare, 27% e të punësuarve në tremujorin e parë të vitit paguan kontribute me pagë minimale. Nëse një kontribuues paguan kontribute mbi një pagë 50.000 lekë, por ndërkohë fiton 90.000 lekë, sistemi merr vetëm 40% të kontributit që do të duhej të merrte.
354 mijë persona, pension mesatar 13,500 lekë në muaj
Në vitin 2025, pensionet e pjesshme përbënin 55.2% të totalit të pensioneve të pleqërisë, duke u zgjeruar me 3 pikë përqindjeje në një vit, nga 52.1% që ishte në vitin 2024.
Kategoria e pensioneve të pjesshme ka shënuar rritje të fortë, duke arritur 353,983 përfitues në vitin 2025 nga 316,781 në vitin 2024, ose plus 11.7%.
Nga ana tjetër, numri i përfituesve të pensionit të plotë ka pësuar rënie, duke zbritur nga 287,279 përfitues në vitin 2024 në 283,677 në vitin 2025, ose -1.3%.
Vitet e fundit po rritet numri i qytetarëve që nuk arrijnë të plotësojnë vitet e plota të punës dhe dalin në pension të pjesshëm. Të dhënat zyrtare të ISSH-së tregojnë se pagesa mesatare për personat me pension të pjesshëm ishte vetëm 13,500 lekë në vitin 2025. Viti i kaluar shënoi bum të vërtetë sa u përket pensioneve të reja urbane, me rreth 54,676 përfitues të rinj.
Nga këto, vetëm 7,723 persona arritën të përfitojnë pension me vite të plota pune. Ndërkohë, numri i personave që kanë përfituar pension të pjesshëm ishte 42,594 persona. Kjo do të thotë se afro 85% e pensionistëve të rinj urbanë në vitin 2025 kanë dalë në pension, pa plotësuar vjetërsinë e plotë në punë dhe duke përfituar në këtë mënyrë pensione qesharake.
Në zonat rurale është i njëjti trend. Gjatë vitit 2025, nga 333 pensione të reja pleqërie në zonat rurale, 208 prej tyre ishin të pjesshme, ndërsa vetëm 125 ishin me vite të plota.
Përfitimi i një pensioni llogaritet në raport me vitet që personi ka derdhur kontribute kundrejt periudhës që kërkon ligji, e cila po rritet gradualisht përtej 38 viteve. Shumica e këtyre pensionistëve marrin vetëm një pjesë të pensionit bazë, shpesh shumë pranë nivelit të pensionit social.
Këto shuma janë të pamjaftueshme për të mbuluar kostot minimale të jetesës, veçanërisht në një mjedis ku çmimet e ushqimeve dhe të shërbimeve mjekësore shënojnë rritje dhe nga ana tjetër, pagesat e tjera për punonjësit janë rritur më shpejt.
Për të mbijetuar, shumë të moshuar që marrin pensione të pjesshme detyrohen të vazhdojnë të punojnë edhe pas moshës së pensionit, shpesh në informalitet.
Përkeqësohet shkalla e zëvendësimit
Shkalla e zëvendësimit është përqindja e pagës që një person merr si pension pasi lë punën. Nëse gjatë kohës që punon merr një pagë të caktuar dhe pensioni është sa një e treta e saj, shkalla e zëvendësimit është 30%.
Ky tregues mat drejtpërdrejt aftësinë e shtetit për të ruajtur standardin e jetesës së një qytetari pasi ai del nga tregu i punës dhe hyn në moshën e tretë.
Sipas standardeve të vendosura nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), kjo shkallë duhet të jetë të paktën 40% për të siguruar një nivel minimal dhe dinjitoz jetese. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian synon nivele edhe më të larta, duke kërkuar që sistemet e konsoliduara të garantojnë midis 50% dhe 60% të pagës mesatare.
Shqipëria sot ndodhet 10 pikë përqindjeje nën pragun minimal të ILO-s dhe, në vend që të shënojë përmirësim, distanca po thellohet dhe ne po largohemi nga ky standard vit pas viti. Pensioni mesatar ishte sa 30% e pagës mesatare vitin e kaluar duke u përkeqësuar ndjeshëm nga niveli 38% në vitin 2021.
Kjo ulje ndodhi për arsye se pagat në sektorin publik dhe në atë privat u rritën me ritme më të larta se pensionet, duke dobësuar dukshëm fuqinë blerëse të pensionistëve. Paga mesatare në rang vendi u rrit me 47% ndërmjet viteve 2021 dhe 2025, ndërsa pensioni mesatar, vetëm 16%, duke reflektuar vetëm indeksimin nga inflacioni.
Rritja e hendekut mes pagave dhe pensioneve vjen në një kohë kur çmimet e qirasë, ilaçet, ushqimet bazë dhe kostot e shëndetësisë janë rritur ndjeshëm. Me pagesat aktuale, pensionistëve po u mohohen nevojat më elementare për mbijetesë. Por pagesat e ulëta të pensionistëve shtrihen edhe në ekonominë e gjerë. Efekti i parë lidhet me tkurrjen e konsumit.
Duke qenë se pensionistët i shpenzojnë paratë e tyre pothuajse tërësisht për mallra bazë si ushqim, shëndetësi dhe energji, rënia e të ardhurave të tyre godet konsumin dhe tregtinë me pakicë. Hulumtimet ndërkombëtare konfirmojnë se të moshuarit me të ardhura të ulëta kursejnë nga shpenzimet e shëndetësisë pasi nuk i përballojnë financiarisht.
Këto vendime çojnë në diagnoza të vonuara dhe trajtime të pamjaftueshme, të cilat herët a vonë rëndojnë mbi spitalet publike si urgjenca të kushtueshme. Një brez i tërë që detyrohet të shtyjë muajin me vetëm 30% të pagës mesatare e humbet plotësisht kapacitetin për të marrë pjesë në jetën komunitare.
Pamundësia për të përballuar vizitat familjare, aktivitetet kulturore, apo edhe gjërat elementare si ushqimi me bazë mishin apo ngrohja e shtëpisë gjatë dimrit, krijon izolim të thellë ekonomik te kjo shtresë./ Monitor