Bllokohen ndihmat humanitare për Luginën e Preshevës, autoritetet serbe kthejnë mbrapsht dërgesën
Një dërgesë me ndihma humanitare e destinuar për banorët shqiptarë në Luginën e Preshevës është kthyer mbrapsht nga pika doganore e Vranjës, duke shkaktuar reagime të forta nga organizatorët dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi.
Ndihmat, të mbështetura nga donatorë në Suedi dhe të ndërmjetësuara nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, u bllokuan pavarësisht faktit se organizatorët deklarojnë se dokumentacioni ishte i plotë. Zyrtarët doganorë kanë kërkuar dokumente shtesë, mes të cilave një memorandum bashkëpunimi, kërkesë të cilën organizatorët e konsiderojnë jashtë kornizave ligjore.
Zyra për Shqiptarët në Serbi dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar kanë denoncuar se pengesat administrative janë të qëllimshme. Sipas tyre, bllokimi nuk ka lidhje me çështje teknike, por me faktin se dërgesa ishte e destinuar ekskluzivisht për komunitetet shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje alternative, përfshirë nënshkrimin e dokumenteve të tjera apo ridrejtimin e ndihmave drejt Kosovës, nuk dhanë rezultat përballë barrierave të vazhdueshme të vendosura nga autoritetet doganore.