Mourinho nis zyrtarisht aventurën e dytë te Real Madridi: Për mua është një mision
José Mourinho ka nisur zyrtarisht aventurën e tij të dytë në pankinën e Real Madridit. Trajneri portugez mbërriti në Madrid gjatë paradites, vizitoi menjëherë qendrën stërvitore të klubit dhe publikoi në rrjetet sociale fotografinë e parë me veshjen stërvitore të "Los Blancos".
Në një intervistë për Real Madrid TV, Mourinho bëri të qartë se puna e tij nuk ka nisur vetëm me mbërritjen në Spanjë.
"Kemi punuar prej kohësh nga distanca së bashku me strukturat e klubit, në disa nivele. Teknologjia të lejon të kontrollosh gjithçka që është bërë dhe atë që mbetet për t'u bërë", deklaroi tekniku portugez.
"Nuk punon te Real Madridi, por për Real Madridin"
Mourinho e cilësoi rikthimin e tij në kryeqytetin spanjoll si një mision të vërtetë.
"Fjalët nuk mjaftojnë. Jam këtu për të ndihmuar lojtarët dhe stafin të bëhen më të mirë, duke krijuar një kulturë pune, përgjegjësie dhe ambicie", tha ai.
Portugezi theksoi gjithashtu rëndësinë e fanellës së Real Madridit.
"Nuk punon te Real Madridi, por punon për Real Madridin. Kjo do të thotë nder dhe përgjegjësi", u shpreh Mourinho.
Trajneri 63-vjeçar shpjegoi se javët e para do t'i shërbejnë njohjes me skuadrën dhe ndërtimit të marrëdhënieve me lojtarët.
"Duhet ta shfrytëzojmë këtë periudhë në mënyrë pozitive, të njohim futbollistët me të cilët do të punoj dhe t'u jap edhe atyre mundësinë të më njohin mua", deklaroi ai.
Në fund të intervistës, Mourinho e mbylli mesazhin në stilin e tij karakteristik, me një frazë të shkurtër për tifozët madrilenë:
"Hala Madrid, asgjë më shumë."
Me rikthimin e "Special One", Real Madridi hap një kapitull të ri, duke shpresuar që eksperienca dhe personaliteti i trajnerit portugez ta rikthejnë klubin në majën e futbollit evropian dhe botëror.