I riu nga diaspora në protestën e 41-të: Shqiptarët jashtë vendit po punojnë për ndryshimin, Rama të largohet
Në ditën e 41-të të protestës kundër qeverisë, një i ri shqiptar nga diaspora, i ardhur nga Seattle i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, iu bashkua qytetarëve në shesh me një mesazh të fortë politik për ndryshimin dhe largimin e qeverisë.
Në fjalën e tij para protestuesve, ai deklaroi se protesta në Shqipëri ka mbështetje të gjerë edhe nga shqiptarët jashtë vendit, të cilët po angazhohen përmes ankesave, denoncimeve dhe komunikimeve me institucione europiane dhe amerikane për çështje që lidhen me qeverisjen në vend.
I riu nga diaspora u bëri thirrje gjithashtu akademikëve dhe intelektualëve shqiptarë që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje, duke kërkuar një angazhim më të madh publik kundër asaj që ai e cilësoi si një krizë të qeverisjes.
Fjala e tij:
Përshëndetje të gjithë bijve të shqipes!
Unë jam një bashkëqytetar nga Seattle, Perëndimi i Amerikës, dhe të tjerë nga këtu. Dhe sa erdha, ju bashkova direkt protestës.
Ju kam ndjekur që nga dita e parë, dhe jam bërë pjesë bashkë me ju nga aq larg sa jam. Dua... dy mesazhe të shkurtra. Aq veta sa jeni këtu, aq grupe në diasporë ka që punojnë përkrah jush. Me letra, me ankimime, me kallëzime kundra personave, personal... kundrejt eurodeputetëve apo zyrave amerikane e të tjera me radhë. Kështu që është një mesazh mbështetës për të gjithë juve.
Në revolucionin shqiptar, gjithmonë ka pasur dy revolucione njëkohësisht: ai me pushkë dhe ai me penë. Ju këtu jeni me pushkë, dhe e gjithë diaspora është mbrapa jush me penë.
Dhe mesazhi i dytë, i bëj thirrje të gjithë akademikëve, si dhe unë vetë, të ndajnë mendimet e tyre dhe t'i bashkohen gjithë kësaj proteste, gjithë këtij revolucioni. Ju përshëndes! Dorëheqje!