EMRI/ Arrestohet polici në Dibër, nuk hetoi largimin e një personi që do ekstradohej drejt Gjermanisë
Një punonjës i Policisë së Shtetit është arrestuar në Dibër, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e një personi të kërkuar nga drejtësia.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër dhe në praninë e prokurorit të gatshëm, ka arrestuar në flagrancë efektivin Megin Gani Ademi, 32 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër.
Sipas AMP-së, ndaj tij rëndon dyshimi për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorim detyre’.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër dhe në prezencën e prokurorit të gatshëm, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Megin Gani Ademi, 32 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër, për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se punonjësi i policisë dyshohet se nuk ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ishte me masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ dhe në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e angazhuar për të hetuar çdo paligjshmëri të kryer në radhët e Policisë së Shtetit.