Protestuesja: Edi Rama jepe dorëheqjen... ik dhe tërhiq zvarrë gjithë qeverinë tënde…
Një qytetare ka marrë fjalën gjatë protestës për të shprehur indinjatën e thellë ndaj qeverisë, duke marrë shkas nga një deklaratë e Ministrit të Kulturës, i cili citohet t'i ketë cilësuar protestuesit si "budallenj". Me një ironi therëse, qytetarja e ka pranuar këtë epitet para turmës, duke theksuar se populli ka qenë vërtet i tillë që ka lejuar degradimin e shoqërisë, nëpërkëmbjen e të drejtave dhe heshtjen përballë kauzave të mëdha, siç ishte rasti i shembjes së Teatrit Kombëtar.
Megjithatë, nga foltorja e improvizuar u theksua se "kupa tashmë është derdhur", veçanërisht për shkak të vendimeve që rrezikojnë natyrën dhe të ardhmen e vendit. Nga sheshi u drejtua një kërkesë e prerë për dorëheqjen e Kryeministrit, por vetëm pasi ai të shfuqizojë disa prej ligjeve më të debatuara.
Fjalimi kulmoi me një thirrje direkte për administratën dhe qeveritarët, duke u kujtuar atyre se kjo protestë qytetare po bëhet edhe për të mbrojtur të ardhmen e tyre.
Protestuesja: Përshëndetje! Është hera e parë që flas dhe është pak e vështirë. Dua të vij si profesioniste, dua të vij si qytetare. Sot u zgjova me thënien e Ministrit të Kulturës që ata që janë në shesh nuk janë popull, po janë budallenj. Dhe e mendova saktë, po, po, nuk jemi popull, po jemi budallenj. Shumë budallenj! Madje po mendoja, budallenj, po budallenj jemi! I kemi zgjedhur ata të na përfaqësojnë. Jemi budallenj sepse nuk kemi ngritur zërin atëherë kur duhej, si në rastin e shembjes së Teatrit Kombëtar në maj të 2018-ës. Jemi budallenj, pse? Sepse kemi lejuar që të na nëpërkëmbin edhe të na marrin të ardhmen. Jemi budallenj sepse kemi lejuar që shoqëria të degradojë në këtë moment që është sot. Jemi budallenj që po mblidhemi për herë të parë për të na dëgjuar zërin.
Jemi budallenj që kemi zgjedhur ata të na përfaqësojnë! Por në fakt, ne kemi një shprehje shumë të bukur në popullin tonë dhe thotë: "hapi rrugën një budallai". Çfarë t'i bësh? Ne budallenjtë sot u zgjuam dhe po kërkojmë të drejtat tona! Dhe duam patjetër që të mbrojmë natyrën sepse është e ardhmja. Kanë ndodhur shumë gjëra, por kjo ishte pika që derdhi gotën. Gjëja e parë që duhet të bësh o zoti Kryeministër – sepse meriton të quhesh "zoti" sepse je Kryeministër, është që të japësh dorëheqjen. Të japësh dorëheqjen mbasi ke shfuqizuar ligjin 21/2024! Pse? Sepse ne nuk e dinim çfarë lloj ekocidi do të ndodhte me këtë. Të japësh dorëheqjen mbasi ke shfuqizuar paketën e maleve, një tjetër lloj dëmi që do vazhdojë për vite me radhë mbasi ti të ikësh.
Taksirat kemi ne të mbajmë dëmet për qindra mijëra vjet mbasi ti ke ikur të shijosh jetën tënde për artqejfin tënd. Natyrisht, ke dhe diçka tjetër për të shfuqizuar para se të ikësh dhe të tërheqësh zvarrë gjithë qeverinë tënde të zgjedhur nga injorantët – se dhe ata janë injorantë, si ne budallenj. Të lutem, të lutem, nuk duhet të ekzistojë fare... duhet patjetër të shfuqizosh edhe ligjin e përkohshëm të investitorëve strategjikë, ku ngeli aktori për t'u bërë investitor, ku ngeli njeriu qesharak pa u bërë investitor! Po, aktor! Sepse në fund të fundit aktorë janë, emrat e mëdhenj fshihen mbrapa tyre. Nuk ngeli njeri pa u bërë investitor strategjik me kapitale qesharake. Çfarë duam? Ne duam të ardhmen dhe ka ikur koha kur heshtim. Nuk ka arkitekt sot dhe urbanist që të flasë për masakrën që i bëhet këtij vendi. I keni parë qytetet tona? Nuk keni ku të ecni, ku shkoni. Ndërtohen kulla pa urbanistikë normale. Kur je mësuar të punosh në 2D me ngjyra, nuk e kupton dot qytetin në 3D.