‘Rilindja Urbane 2.0’/ Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë kundër Ramës: Nuk duam fasada, kërkojmë decentralizim real

Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë ka dalë kundër programit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, ‘Rilindja Urbane 2.0’, duke e cilësuar si një tjetër përpjekje për centralizimin e pushtetit vendor dhe dobësimin e autonomisë së bashkive.

Në një deklaratë publike, shoqata, e drejtuar nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, shprehet se bashkitë shqiptare nuk kanë nevojë për programe të reja të hartuara nga qeveria qendrore, por për kompetenca reale, financim të qëndrueshëm dhe respektim të autonomisë vendore.

‘Pushteti vendor nuk ka nevojë për një ‘Rilindje’ tjetër, por për vetëqeverisje dhe decentralizim të vërtetë’, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë.

Shpallja e një programi të tillë vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve vendore ngre pikëpyetje mbi qëllimin dhe mënyrën e zbatimit të tij.

Shoqata ngre shqetësimin se fondet e mëdha të parashikuara për këtë program rrezikojnë të përdoren për ndërhyrje të centralizuara, ndërsa problemet bazë të qytetarëve, si furnizimi me ujë, kanalizimet, pastrimi dhe menaxhimi i mbetjeve, mbeten ende të pazgjidhura.

Deklarata e Shoqatës së Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë:

Deklaratë e Shoqatës së bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë rreth ‘Rilindjes 2.0’, vizionit të Edi Eamës për zhvillimin e bashkive dhe Shqipërinë 2030

‘Pushteti vendor nuk ka nevojë për një ‘Rilindje’ tjetër, por për vetëqeverisje dhe decentralizim të vërtetë’
Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë shprehin shqetësimin e tyre të thellë lidhur me prezantimin e programit ‘Rilindja Urbane 2.0’, një iniciativë e cila, pavarësisht retorikës zhvillimore, rrezikon të thellojë më tej sundim dhe centralizimin e qeverisjes vendore në Shqipëri.

Në fakt e shpallur vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve vendore, Kryeministri Rama me këtë projekt po paraqet gjithashtu formulën e re të manipulimit të votës dhe njëkohësisht atë të sundimit të plotë mbi qeverisjen vendore.

Ne mbështesim pa asnjë rezervë çdo investim publik që përmirëson jetën e qytetarëve dhe nxit zhvillimin ekonomik e social të komuniteteve. Por zhvillimi i pushtetit vendor nuk mund të ndërtohet mbi programe politike me emra të rinj në çdo mandat qeverisës. Bashkitë nuk kanë nevojë për ‘Rilindje 1.0’, ‘2.0’ apo versione të tjera të administrimit të centralizuar. Ato kanë nevojë për shtet ligjor, autonomi reale, decentralizim dhe financim të qëndrueshëm.

Janë jo pak por 1.5 miliardë euro që do të përdoren prej kastës në fuqi thjesht për fasadën që mbulon dështimet në shërbimet publike, rrjetet e ujit të pijshëm dhe kanalizimet, pastrimin e qyteteve dhe menaxhimin e mbetjeve urbane!

Rilindja 2.0 përbën një transformim urban jashtë kontrollit, të pakonsultuar me kërkesat e qytetarëve, qeveritë vendore, planet e tyre territoriale dhe që nuk prodhon benefite serioze për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal

Këto fonde që do të menaxhohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe firmat oligarke rreth qeverisë do të jenë një goditje e pariparueshme për vetëqeverisjen vendore dhe eliminimin e iniciativave bashkiake në adresë të zhvillimit, punësimit dhe nxitjes së rritjes ekonomike.

Qytetet, krahinat dhe fshatrat e Shqipërisë ende nuk e kanë marrë veten nga pesha e betonit mbi supet e tyre të Rilindjes 1.0! Një eksperiencë që shuajti çdo vendimmarrje vendore për menaxhimin dhe zhvillimin e territorit të tyre, dhe i shndërroi bashkitë në zgjatime të paranojës kryeministrore.

Është shqetësuese që edhe pas më shumë se një dekade reformash, qeveria vazhdon ta shohë zhvillimin vendor si një proces që duhet të projektohet, drejtohet dhe kontrollohet nga qendra. Kjo filozofi bie ndesh me frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe me standardet që Bashkimi Evropian kërkon nga një shtet kandidat.

Autonomia vendore nuk është një privilegj që jepet me programe qeveritare. Ajo është një parim kushtetues dhe një detyrim ndërkombëtar.
Shqipëria nuk ka nevojë për një qeveri që qeveris bashkitë. Shqipëria ka nevojë për bashki që qeverisin komunitetet e tyre.

Pikërisht për këtë arsye, shpallja e një programi të tillë në prag të zgjedhjeve vendore ngre pikëpyetje serioze mbi kohën, mënyrën dhe qëllimin e tij. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se programe të tilla janë shndërruar në instrumente politike që krijojnë varësi të bashkive nga vendimmarrja qendrore, duke dobësuar iniciativën vendore dhe duke ushqyer një kulturë patronazhi institucional.

Bashkitë nuk kanë nevojë të konkurrojnë për favore politike apo për projekte që varen nga vullneti i qeverisë së radhës. Ato duhet të kenë të garantuara burimet financiare dhe kompetencat që ligji ua njeh, në mënyrë që të planifikojnë zhvillimin e territorit të tyre në mënyrë të pavarur dhe afatgjatë.
Paradoksi më i madh është se shumë nga problemet urbane që sot prezantohen si objektiva të ‘Rilindjes Urbane 2.0’ janë pasojë e drejtpërdrejtë e politikave centralizuese të vetë qeverisë gjatë viteve të fundit.

Kompetencat e bashkive në planifikimin dhe zhvillimin e territorit janë kufizuar vazhdimisht përmes ndryshimeve ligjore; vendimmarrja është përqendruar gjithnjë e më shumë në institucionet qendrore; fondet e zhvillimit janë shpërndarë në mënyrë të centralizuar; ndërsa bashkitë janë trajtuar shpesh si zbatues të politikave të hartuara nga të tjerët dhe jo si autoritete kushtetuese të vetëqeverisjes.

Në vend që të rikthehen kompetencat, propozohet një program i ri që e zgjeron edhe më tej rolin drejtues të qeverisë qendrore.
Kjo nuk është decentralizim.

Kjo është administrim i decentralizimit.

Shoqata jonë beson se bashkitë shqiptare kanë kapacitetin profesional dhe institucional për të projektuar, menaxhuar dhe zbatuar vetë politikat e zhvillimit urban, shërbimet publike, transportin lokal, ekonominë vendore, hapësirat publike, mbrojtjen e mjedisit dhe shumë funksione të tjera. Ato nuk kanë nevojë për struktura paralele që vendosin në emër të tyre.

Nëse qeveria dëshiron vërtet një fazë të re zhvillimi vendor, prioritetet nuk janë programe të reja propagandistike.

Prioritetet janë:decentralizimi real i kompetencave;rritja e autonomisë fiskale të bashkive;financim i drejtë dhe transparent sipas formulave ligjore;rikthimi i kompetencave në planifikimin dhe zhvillimin territorial;respektimi i autonomisë kushtetuese të pushtetit vendor;
partneritet institucional dhe konsultim të detyrueshëm me shoqatat përfaqësuese të pushtetit vendor.

Integrimi evropian nuk matet me numrin e programeve që lançon qeveria.

Ai matet me nivelin e decentralizimit, me autonominë e pushtetit vendor, me subsidiaritetin dhe me aftësinë e komuniteteve për të marrë vetë vendime për zhvillimin e tyre.
Shoqata e Bashkive dhe Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë i bëjnë thirrje Qeverisë që të mos e trajtojë pushtetin vendor si një hallkë administrative të qeverisë qendrore, por si një pushtet kushtetues të barabartë në ushtrimin e përgjegjësive të tij.

Bashkitë nuk kërkojnë privilegje.
Kërkojnë respektimin e Kushtetutës.
Kërkojnë besim.
Kërkojnë decentralizim.
Sepse vetëm bashki të forta ndërtojnë një shtet të fortë dhe vetëm një pushtet vendor autonom mund ta afrojë Shqipërinë me standardet evropiane.

Presidenti Shoqatës
Fisnik Qosja