VIDEO/ Gjoni: Rama ka frikë nga qytetarët, narrativa po i kthehet në bumerang! Shqiptarëve u ka dalë frika

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se mënyra e qeverisjes së tij karakterizohet nga arroganca dhe shpërfillja ndaj qytetarëve.

I ftuar në emisionin ‘Syri Digjital’ me moderatorin Bled Marku në SYRI TV, Gjoni tha se sjellja e Ramës nuk është një fenomen i ri, por një mënyrë qeverisjeje që, sipas tij, ka nisur që në kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Kulturës dhe më pas Bashkinë e Tiranës.

Sipas deputetit demokrat, një nga shembujt më të qartë lidhet me mënyrën sesi janë trajtuar pronarët dhe bizneset gjatë projekteve infrastrukturore në kryeqytet.

Ai u ndal edhe te përplasjet gjatë protestave, duke thënë se ka takuar protestues të ndaluar dhe se qëndrueshmëria e tyre tregon, sipas tij, një ndryshim të klimës sociale në vend.

Deputeti i PD-së përmendi edhe mbështetjen e disa eurodeputetëve ndaj kërkesave të protestuesve, duke deklaruar se qëndrimet e tyre janë një sinjal kritik ndaj qeverisë shqiptare.

‘Të them të drejtën, mënyra sesi Rama është sjellë nuk është një sjellje e re për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo sjellje ka filluar që në momentin e parë që zoti Rama ka qenë në drejtimin e Ministrisë së Kulturës, por njëkohësisht edhe në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, dhe sot në drejtimin e qeverisë.

Sepse vetëm të shihni rastet dhe mënyrën sesi u soll me hapjen e rrugëve, me mënyrën sesi nuk dëmshpërblete pronarët e vërtetë të Tiranës dhe bizneset e tyre dhe i linte për një periudhë kohore dhe i detyronte që të shkonin me vite me radhë nëpër gjyqe, duke mohuar një të drejtë kushtetuese e cila është vlerësimi i drejtë i pronës dhe kompensimi real i saj.

Po në të njëjtën mënyrë ai nuk po pyet në lidhje me qytetarët shqiptarë, nuk po pyet edhe në lidhje me protestën, pavarësisht që të jemi realistë, është i frikësuar nga protesta, nga kërkesat e protestuesve, sepse protestuesit janë jashtë fluksit të partive politike.

Është një shumicë e cila del jashtë të gjitha forcave politike, përfshi këtu edhe Partinë Demokratike, por edhe Partinë Socialiste, por edhe partitë e tjera, se ka edhe qytetarë gri të cilët sot protestojnë dhe protestojnë me të drejtë në lidhje me arrogancën e këtij personi.

Por ajo e cila është e rëndësishme është që qytetarët shqiptarë kanë fituar mbi narrativën e kryeministrit Rama në raport me algoritmin. Dhe kjo është një nga elementët e parë, sepse narrativa e tij që mund të jetë i suksesshëm për shkak të mënyrës sesi ai ka përdorur Facebook-un, mediat sociale, Instagram-in dhe rrjete të tjera, sot këto rrjete po i kthehen në bumerang dhe në disfavorin e tij.

Nga krahu tjetër është një element shumë i rëndësishëm, që të rinjve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë u ka dalë frika nga mënyra sesi Edi Rama sillet.

Edhe në raport me ngjarjet e dhunës, të cilat janë ndaj protestuesve dhe unë kam pasur rastin t'i takoj secilin prej tyre në dhomat e paraburgimit pranë komisariatit numër 3 dhe të jem pranë tyre, pavarësisht se nuk e kam bërë publike dhe nuk jam tip që dal në deklarata për çdo veprim që bëj në raport me protestën dhe me cilësinë e demokracisë në Shqipëri.

Tregon që qytetarët shqiptarë, të rinjtë shqiptarë janë të pamoshtur dhe qëndrojnë në kushte të tilla në një kohëzgjatje kaq të madhe dhe me kërkesa të mirëpërcaktuara, siç është dorëheqja e qeverisë Rama dhe njëkohësisht edhe çështjet e tjera të cilat janë lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe sistemin zgjedhor, me qeverinë teknike jopartiake, me elementët e shfuqizimit të katër ligjeve të cilët janë diskutuar edhe në Parlamentin Evropian.

Dhe meqenëse juve thatë, një numër i konsiderueshëm eurodeputetësh, 8 veta, i ishin bashkëngjitur protestave të protestuesve të cilët sot po protestojnë në mënyrë të lirë dhe të devotshëm për të arritur qëllimin për të cilin ata kanë dalë në këtë protestë. Por njëkohësisht edhe në qëndrimet e grupit parlamentar dhe të Komisionit të Asociim-Stabilizimit, rezulton që kanë mbështetur një për një pothuajse të gjithë kërkesat e Partisë Demokratike.

Dhe fakti që eurodeputetët, përfshi edhe ata të cilët kanë qenë në protestë, si eurodeputetja gjermane, por njëkohësisht edhe ai italiani, të cilët i kanë ringritur kërkesat e tyre në raport me protestën, në raport me politikën e Edi Ramës, në raport me krimin e organizuar, në raport me zonat e mbrojtura, në raport me shfuqizimin e këtyre ligjeve.

Përsëri, përsëri shohim një këmbëngulje dhe mënyrë jo racionale nga ana e deputetëve të Partisë Socialiste në raport me kërkesat dhe direktivat e Parlamentit Evropian dhe Bashkimit Evropian. Çka tregon që kjo lloj narrative e përdorur nga ana e Partisë Socialiste në pushtet tregon që fundin e ka shumë të afërt, duke parë edhe këmbënguljen jo vetëm të protestuesve të cilët sot janë në shesh dhe vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, por edhe të forcave të tjera politike opozitare të cilat janë në mbështetje pa kushte ndaj protestës së organizuar nga këta protestues.’, theksoi Gjin Gjoni në SYRI TV.