SYRI TV/ Edi Rama bën gati llokmën e radhës ‘Rilindja 2.0’, do kushtojë 1.5 miliardë €
Pasi shpenzoi 2.3 miliardë euro për projektin e Rilindjes Urbane, që u përdor për rikonstruksionin e qendrave të qyteteve dhe që u shoqërua me akuza të forta për abuzime me fondet publike, Edi Rama ka bërë gati llokmën e radhës për klientët e tij. Në një takim me kryebashkiakët socialistë dhe ministrat këtë të premte, kryeministri ka lançuar programin Rilindja Urbane 2.0, e cila pritet t’i kushtojë xhepave të shqiptarëve rreth 1.5 miliardë euro.
Rilindja Urbane 1 pati akuza të shumta për paracaktim të tenderave. Nga auditimet e KLSH-së u konstatua se fondet u përqendruan në një grusht kompanish, të cilat ishin të lidhura me mazhorancën socialiste. Gjithashtu, KLSH-ja konstatoi se çmimet e punimeve u mbifaturuan, duke sjellë shpërdorim të parave të taksapaguesve. Gjithashtu, u konstatuan probleme me shpronësimet në zonat ku është zbatuar Rilindja Urbane 1, si dhe prishje të paligjshme, ku shumë qytetarë kanë fituar në gjykata dëmshpërblime për prishjet e IKMT-së.
Po ashtu, në Rilindjen Urbane 1 është vënë në dukje gabimi me prioritetet, për shkak se është investuar në fasada dhe sheshe, por duke lënë pas dore rrjetin nëntokësor. Pikërisht pas këtyre investimeve, disa qytete si Vlora dhe Durrësi kanë pasur përmbytje masive. Por, teksa një pjesë e mirë e Shqipërisë ende vuan nga mungesa e ujit, Edi Rama ka shpikur një tjetër program fasadë për të gllabëruar një miliard e gjysmë euro të qytetarëve shqiptarë dhe ka shpikur Rilindjen numër 2.