U gjet e vdekur në banesën e saj, policia britanike nis hetim për vrasjen e ish-ministres Ann Widdecombe
Policia britanike ka nisur një hetim për vrasje pas vdekjes së ish-ministres konservatore Ann Widdecombe, 78 vjeçe, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj.
Sipas Policisë së Devonit dhe Kornuollit, oficerët u thirrën në adresën e saj rreth mesditës të së enjtes, ku konstatuan se Widdecombe kishte ndërruar jetë dhe kishte pësuar lëndime të rënda.
‘Hetimi ynë për vrasje është në fazat e hershme, por po ecën me një ritëm të konsiderueshëm’, thuhet në deklaratën e policisë.
Autoritetet bënë të ditur se po përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin e dyshuar.
‘Po përdorim të gjitha burimet e nevojshme për të zbuluar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe për të gjetur personin përgjegjës, i cili besohet të jetë një mashkull i bardhë’, deklaroi policia.
Zona përreth banesës së ish-ministres mbetet e rrethuar, ndërsa ekspertët e mjekësisë ligjore vijojnë ekzaminimet në vendin e ngjarjes.
Ann Widdecombe ishte deputete e Partisë Konservatore në Parlamentin britanik nga viti 1987 deri në vitin 2010. Gjatë karrierës së saj politike ajo mbajti disa poste ministrore në qeverinë e ish-kryeministrit John Major dhe ishte një nga figurat më të njohura të Partisë Konservatore. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.