Haaland mbështet një fëmijë brazilian viktimë të bullizmit: Mos i ndrysho flokët, mos dëgjo çfarë thonë të tjerët!
Sulmuesi norvegjez, Erling Haaland, ka bërë një gjest prekës ndaj një djali brazilian, i cili ishte bërë viktimë e bullizmit në shkollë për shkak të flokëve të gjatë, të cilët i mbante si idhulli i tij, ‘yll’ i Manchester City-t.
Protagonist i kësaj historie është Vinicius Correa, një djalë nga Balneário Camboriú në Brazil, i cili u tall nga bashkëmoshatarët për modelin e flokëve të frymëzuar nga Haaland.
Në një videomesazh të publikuar nga Manchester City, sulmuesi norvegjez iu drejtua personalisht vogëlushit.
"E di që ti je Erling Haaland i Brazilit. Faleminderit për këtë", thotë Haaland në mesazhin e tij.
Më pas ai e inkurajon djalin të mos ndryshojë pamjen dhe të mos ndikohet nga komentet e të tjerëve.
"Flokët e gjatë janë shumë të bukur. Vazhdo t'i mbash ashtu dhe mos dëgjo çfarë thonë njerëzit", ishte mesazhi i futbollistit.
Vinicius e priti me shumë emocion videon e idhullit të tij dhe iu përgjigj me një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale.
"Përshëndetje! Më pëlqeu shumë videoja. Nuk e besoj dot. Të dua", tha ai.
Sipas familjes së vogëlushit, gjesti i Haaland i ka rikthyer vetëbesimin Viniciusit pas muajve të vështirë që kishte kaluar për shkak të bullizmit në shkollë.