Kryepolici Hitaj me budallallëkun servil të tij nxori sheshit bizneset kanakare të pushtetit!

Nga Petrit Vasili/

Dihet që qëllimi i veprimit të policisë është goditja e protestës qytetare që vazhdon prej 40 ditësh dhe që ka futur në krizë Ramën dhe ia ka nxjerrë bojën në të gjitha mediat më të mëdha të botës.

Deklarata e Kryepolicit Hitaj për fillimin e një hetimi për komentet negative, që i qenkan bërë bizneseve kanakare të pushtetit, pati edhe një "vlerë", se i nxori sheshit se cilët janë ato.
I madh e i vogël tashmë i njeh me emër e mbiemër bizneset për të cilat i del gjumi i natës Ramës dhe pushtetit.

Jemi tamam si në kohën e Partisë së Punës, që nuk thoshe dot s'ka ushqime se të dënonin, megjithëse hanim bukë me tollon.

Tani, në kohën e Shokut Rama, nuk bëhen dot komente për kanakarët e tij të biznesit dhe duhet të të pëlqejë me zor restoranti apo peshku, se ndryshe hetohesh.

Hajde ç'veta, hajmedet për këtë qeveri të ikur nga trutë e kokës.

Policia përbuz dhe nuk ia var kërcënimeve të paralajmëruara, që kanë marrë edhe jetë fëmijësh, por u hodh përpjetë për ca komente klientësh, që nuk u ka pëlqyer shërbimi.

Policia nuk është shqetësuar kurrë për punësimin e minorenëve 12-vjeçarë, që është pak të thuash veprim kriminal.

Policia përbuz dhe nuk ia var kërcënimeve që kanë marrë biznese të ndryshme, që ka sjellë më pas edhe vepra kriminale ndaj tyre.

Policia nuk është shqetësuar kurrë për mbylljen e bizneseve si pasojë e kërcënimeve nga biznese të lidhura me krimin.

Policia nuk është shqetësuar kurrë për pastrimin e hapur të parave ditën për diell.

Policia nuk është shqetësuar kurrë për kriminelët dhe narkotrafikantët që lëvizin me automjete që kushtojnë qindra mijëra euro; përkundrazi, u buzëqesh atyre.

Policia nuk është shqetësuar kurrë për gjobëvënien, që grupe të ndryshme kriminale ushtrojnë ndaj bizneseve të ndershme.

Pra, kjo polici, që nuk e vë ujin në zjarr për një mijë halle të njerëzve dhe bizneseve, u ngrit në këmbë duke filluar hetimin më idiot në botë.

Policia tregoi qartë se kujdeset vetëm për bizneset që i interesojnë Ramës dhe qeverisë, që atyre të mos u hyjë asnjë gjemb në këmbë.

Është e qartë se policia është kthyer në një instrument shtypës politik të pushtetit dhe jo më në një organizatë që udhëhiqet nga ligji.

Megjithatë, ky Kryepolici Hitaj duhet falënderuar për budallallëkun servil të tij për fillimin e këtij hetimi të marrë, sepse nxori lakuriq lidhjet e errëta korruptive të pushtetit me bizneset klientë të tij.

Petrit Vasili kufizoi personat që mund të komentojnë në këtë postim.