Ronaldo rrëfen momentin më të vështirë të jetës: Kur u tërhoqa nga futbolli, rashë në depresion
Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo Nazário, ka bërë një rrëfim të ndjerë për periudhën më të vështirë të jetës së tij pas përfundimit të karrierës si futbollist. Ish-kampioni i botës me Brazilin tregoi se largimi nga futbolli në vitin 2011 e futi në një depresion të rëndë.
Në një intervistë për podcastin ‘Futebol Legends Talks’, ish-sulmuesi pranoi se nuk ishte aspak i përgatitur emocionalisht për t'i dhënë fund karrierës në moshën 34-vjeçare.
"Kur vendos të ndalosh së luajturi, ndihesh sikur ka vdekur një njeri shumë i afërt. Rashë në një depresion të rëndë dhe shtova shumë në peshë. Ishte jashtëzakonisht e vështirë të largohesha nga futbolli. Ideja që nuk do të luaja më, qoftë edhe për një periudhë, ishte shkatërruese për mua", u shpreh Ronaldo.
Më pas, ai tregoi se me kalimin e kohës arriti të kuptonte se jeta ofron edhe sfida të tjera.
"Pastaj e kupton se ke gjëra të tjera për të bërë në jetë. Mund të rishpikësh veten, por ideja që nuk do të garoja më më mbeti gjatë në mendje", shtoi ish-futbollisti.
Ronaldo konsiderohet një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit. Ai mori pjesë në katër Kupa Bote dhe u shpall kampion me Brazilin në vitet 1994 dhe 2002. Gjatë karrierës së tij veshi fanellat e klubeve më të mëdha si Barcelona, Real Madrid, Interi dhe Milani, duke lënë gjurmë si një nga sulmuesit më të talentuar të të gjitha kohërave.
Edhe pas tërheqjes nga futbolli, Ronaldo mbeti i lidhur me sportin. Ai drejtoi për tri vite strukturën sportive të Cruzeiros dhe ishte aksioner i klubit spanjoll Real Valladolid, duke vijuar të jetë një figurë me ndikim në botën e futbollit.