Kupa e Botës, aty ku dështimi nuk falet: Një në katër trajnerë u largua pas eliminimit të kombëtares

Në futbollin e sotëm, dështimi në Kupën e Botës rrallëherë mbetet pa pasoja. Botërori 2026 e ka konfirmuar këtë realitet: 13 nga 48 trajnerët që drejtuan kombëtaret pjesëmarrëse, ose 25% e tyre, janë larguar nga posti pas eliminimit të skuadrave të tyre.

Një nga rastet më të veçanta është ai i Carlo Ancelotti-t. Pavarësisht dështimit të Brazilit dhe kritikave të forta nga tifozët që kërkonin shkarkimin e tij, tekniku italian ka mbetur në detyrë falë kontratës së fortë që ka me Federatën Braziliane. Objektivi i tij mbetet rindërtimi i "Seleçaos" për Botërorin e ardhshëm.

Ndryshe ndodhi me Julian Nagelsmann. Trajneri i Gjermanisë dha dorëheqjen pas eliminimit nga Paraguai në fazën e 1/16-ave. "Pas një zhgënjimi kaq të madh, skuadra meriton një fillim të ri", deklaroi 39-vjeçari, i cili kishte marrë drejtimin e kombëtares në shtator 2023. Sipas raportimeve, Jurgen Klopp pritet ta zëvendësojë, me një kontratë që kap vlerën e shtatë milionë eurove në sezon.

Rekordi negativ i këtij Botërori i përket Tunizisë, e cila ndërroi trajner dy herë gjatë turneut. Sabri Lamouchi u shkarkua pas humbjes 5-1 ndaj Suedisë në ndeshjen e parë, ndërsa Hervé Renard, i emëruar gjatë kompeticionit, dha dorëheqjen vetëm 18 ditë më vonë pas dy humbjeve të tjera. Tunizia e mbylli fazën e grupeve me 12 gola të pësuar, shifra më e lartë në histori për ekipin.

Edhe Portugalia ndryshoi trajner. Roberto Martínez u largua pas eliminimit në fazën e 1/8-ave, duke deklaruar se nuk kishte kuptim të vazhdonte pasi objektivi i tij ishte fitimi i Kupës së Botës.

Në Korenë e Jugut, Hong Myung-bo dha dorëheqjen mes lotësh, pas kritikave të forta dhe eliminimit të ekipit. Presidenti i vendit kishte vënë më herët në dyshim aftësinë e tij për të drejtuar kombëtaren.

Ndryshime pati edhe në Republikën Çeke, ku Miroslav Koubek u largua pas vendit të fundit në grup, duke pohuar se vendimi u ndikua edhe nga fushata mediatike kundër tij.

Steve Clarke mbylli aventurën shtatëvjeçare në krye të Skocisë, pasi skuadra nuk arriti të kualifikohej mes tetë ekipeve më të mira të renditura në vendin e tretë.

Marcelo Bielsa u largua nga Uruguai pas eliminimit në fazën e grupeve. Në konferencën e tij të fundit për shtyp, që zgjati rreth 100 minuta, ai u shpreh se nuk kishte lënë trashëgiminë që kishte dëshiruar në futbollin uruguaian.

Zlatko Dalić i dha fund periudhës së tij të gjatë në krye të Kroacisë, pasi skuadra u eliminua nga Portugalia në fazën e 1/16-ave. Dalić kishte udhëhequr Kroacinë drejt finales së Botërorit 2018 dhe gjysmëfinales në vitin 2022.

Dorëheqje paraqiti edhe Carlos Queiroz, i cili kishte marrë drejtimin e Ganës vetëm në prill të vitit 2026. Pas humbjes ndaj Kolumbisë në 1/16-at, ai njoftoi largimin me një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale.

Edhe Holanda mbeti pa trajner. Ronald Koeman dha dorëheqjen pas humbjes me penallti ndaj Marokut, në një ndeshje ku u kritikua për qasjen tepër mbrojtëse.

Lista mbyllet me Sebastian Beccacece, i cili u largua nga pankina e Ekuadorit pas eliminimit nga Meksika. Megjithatë, ai do të mbahet mend për një sukses historik: fitoren ndaj Gjermanisë në fazën e grupeve, rezultat që në Ekuador u festua aq shumë sa u shpall edhe ditë feste kombëtare.

I fundit është trajneri i Afrikës së Jugut, Hugo Broos, që gjithsesi pritet të marrë një tjetër rol, atë të këshilltarit te kjo përfaqësuese.

Botërori 2026 ka treguar edhe një herë se presioni mbi trajnerët e kombëtareve është më i madh se kurrë dhe se, në nivelin më të lartë të futbollit, dështimi rrallëherë falet.