Zyrtare/ Portugalia i besohet një 71-vjeçari

Federata Portugeze e Futbollit ka zyrtarizuar këtë të premte emërimin e Jorge Jesus si trajnerin e ri të kombëtares së Portugalisë. Tekniku 71-vjeçar ka firmosur një kontratë katërvjeçare dhe do të zëvendësojë në këtë detyrë Roberto Martínez-in.

Objektivat kryesorë të Jesus janë mbrojtja e titullit në Ligën e Kombeve, të fituar nga Portugalia në vitin 2025, si dhe drejtimi i skuadrës në Kampionatin Evropian 2028 dhe në Kupën e Botës 2030, turne që do të organizohet nga Portugalia, Spanja dhe Maroku.

Sfida e parë e rëndësishme për trajnerin e ri do të jetë mbrojtja e trofeut të Ligës së Kombeve. Portugalia bën pjesë në një grup së bashku me Uellsin, Norvegjinë dhe Danimarkën.

Një karrierë e suksesshme brenda dhe jashtë Portugalisë

Në moshën 71-vjeçare, Jorge Jesus do të drejtojë për herë të parë një kombëtare. Karriera e tij si trajner nisi në vitin 1989 tek Amora dhe gjatë katër viteve të fundit ai punoi jashtë Portugalisë, fillimisht te Fenerbahçe në Turqi, e më pas tek Al Hilal dhe Al Nassr në Arabinë Saudite, ku fitoi dy tituj kampion radhazi.

Nën drejtimin e Jesus sezonin e kaluar, Cristiano Ronaldo realizoi 29 gola në 33 ndeshje me Al Nassr. Sulmuesi 41-vjeçar ka lënë të kuptohet se Kupa e Botës në zhvillim mund të jetë e fundit në karrierën e tij, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen me kombëtaren.

Jesus ka pasur sukses të madh edhe në Brazil, ku me Flamengon fitoi kampionatin brazilian, Copa Libertadores, Superkupën e Amerikës së Jugut dhe Superkupën e Brazilit gjatë periudhës 2019-2020.

Në Portugali, ai u bë i njohur fillimisht me SC Braga, ku fitoi Kupën Intertoto dhe tërhoqi vëmendjen e Benfikës. Në drejtimin e Benfikës, gjatë periudhave 2009-2015 dhe 2020-2022, ai fitoi tre tituj kampion.

Në vitin 2015, Jesus kaloi te rivali Sporting, një lëvizje që shkaktoi shumë polemika. Ai qëndroi tri sezone në krye të ekipit, duke fituar një Superkupë dhe një Kupë të Ligës.