'Rama ka humbur shumë në mediat ndërkombëtare'/ Lubonja: Autoritetet europiane e dinë problemin me krimin shqiptar
Analisti Fatos Lubonja deklaroi se kryeministri Edi Rama ka humbur ndikim në arenën ndërkombëtare, por sipas tij, Bashkimi Europian nuk kërkon largimin e tij, pasi prioritet mbetet ruajtja e stabilitetit politik në Shqipëri.
I ftuar në News24, Lubonja u shpreh se problemi kryesor nuk është vetëm dhuna, por sistemi që, sipas tij, është ngritur gjatë qeverisjes së Ramës.
“Rama ka humbur shumë, sidomos në mediat ndërkombëtare, dhe kjo vë në vështirësi edhe Macron, Kos dhe Tony Blair. Nuk e di se çfarë këshillash i ka dhënë ai, ndoshta qeveris mirë me narkoshtet”, u shpreh analisti.
Sipas Lubonjës, Bashkimi Europian e sheh stabilitetin si prioritet dhe për këtë arsye nuk ushtron presion për ndryshim të qeverisë.
“BE kërkon stabilitet. Thonë se nëse ikën ky, kush do të vijë që të na sigurojë disa gjëra? Duhet protestuar edhe kundër ndërkombëtarëve. Nuk i sheh Gonzato kullat? Duan të fusin narkoshtetin në BE”, deklaroi ai.
Lubonja shtoi se, sipas tij, vendet europiane janë të vetëdijshme për problemet që lidhen me krimin shqiptar.
“Këtu problem nuk është dhuna, është sistemi që ka ngritur. Gjermania dhe Holanda e dinë, sepse kanë probleme me krimin shqiptar atje. Autoritetet e tyre na kanë sjellë në SPAK informacionet. Por ka një lloj paragjykimi se shqiptarët kaq demokraci meritojnë”, tha ai.
Në fund, analisti u shpreh se qeveria nuk ka frikë nga pasojat, pasi sipas tij ka kapur sistemin e drejtësisë.
“Nuk kanë mjaftueshëm frikë, sepse ka kapur sistemin e drejtësisë, ndryshe s’do të jepte 4 milionë euro për një koncert”, përfundoi Lubonja.