SYRI TV/ Përroi i Zaranikës ‘mbytet’ nga mbeturinat, ndotja shqetëson banorët që jetojnë në zonë
Përroi i Zaranikës në Elbasan vijon të jetë i mbushur me mbeturina, ndërsa banorët ankohen se, pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, pastrimi kryhet shumë rrallë dhe ndotja po rrezikon shëndetin e tyre. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e përroit si edhe masa ndaj personave që hedhin mbetje në këtë zonë.
SYRI TV
Përroi i Zaranikës, i shtrirë në pjesën perëndimore të qytetit të Elbasanit, prej kohësh është kthyer në një zonë të mbizotëruar nga mbetjet dhe ndotja. Banorët e zonës shprehen se këtë shqetësim e kanë ngritur në mënyrë të përsëritur pranë institucioneve, e megjithatë pastrimi kryhet shumë rrallë.
Sipas tyre, në muajt e nxehtë situata përkeqësohet ndjeshëm, pasi aroma e rëndë e mbetjeve pushton të gjithë zonën duke u bërë e padurueshme për banorët, ndërsa mbeturinat e grumbulluara mund të kthehen lehtësisht në burim infeksioni dhe sëmundjesh.
Banorët shprehen se, ndonëse kjo është një zonë mjaft e populluar dhe ata janë taksapagues të rregullt, shërbimi për mirëmbajtjen dhe pastrimin nuk ofrohet.
Të revoltuar nga indiferenca, banorët bëjnë thirrje që të ndërhyhet menjëherë për pastrimin e plotë të përroit. Ata kërkojnë që të merren masa edhe për personat që hedhin mbeturina në përrua