'Kuvendi, noter i vendimeve të Ramës'/ Vokshi: PS votoi kundër projektligjeve që mbrojnë zonat e mbrojtura

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, akuzoi shumicën socialiste se ka refuzuar për herë të dytë kërkesën e opozitës për të shqyrtuar me prioritet katër projektligje që, sipas saj, adresojnë shqetësime të ngritura nga Bashkimi Evropian dhe qytetarët.

Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Vokshi tha se si përfaqësuese e opozitës në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme kishte dorëzuar dy kërkesa zyrtare për përfshirjen në rendin e ditës të projektligjeve për zonat e mbrojtura, investimet strategjike, paketën e maleve dhe trashëgiminë kulturore, por ato nuk u pranuan nga shumica.

Sipas saj, këto nisma synojnë t’i japin fund, siç e cilësoi ajo, “regjimit klientelist” në investimet strategjike, të shfuqizojnë paketën e maleve, të rikthejnë mbrojtjen e zonave të mbrojtura nga betonizimi dhe të forcojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Vokshi deklaroi se Partia Socialiste votoi kundër shqyrtimit të tyre, pavarësisht se, sipas saj, projektligjet lidhen me rekomandime dhe shqetësime të ngritura në raportet e Komisionit Evropian, rezolutën e Parlamentit Evropian të 17 qershorit dhe gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Deputetja demokrate tha se kërkesat e opozitës ishin bazuar në nenet 28 dhe 32 të Rregullores së Kuvendit, duke argumentuar se komisioni kishte detyrimin t’i shqyrtonte këto projektligje me përparësi.

Ajo akuzoi shumicën se po bllokon debatin parlamentar për të mbrojtur interesat e qeverisë, ndërsa shtoi se Kuvendi nuk po funksionon si institucion kontrolli demokratik, por si “noter i vendimeve të kryeministrit”.

Më tej, Vokshi u shpreh se vota kundër e Partisë Socialiste nuk është vetëm kundër propozimeve të opozitës, por edhe kundër rolit të Parlamentit në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se, sipas saj, një parlament që kufizon debatin dhe kontrollin ndaj ekzekutivit dëmton besueshmërinë e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Deklarata e Vokshit:

Projektligje të cilat ngrihen mbi interesin partiak dhe bëjnë bashkë shqetësimin e opozitës, shqetësimin e qytetarëve dhe të protestuesve që protestojnë tashmë për më shumë se 40 ditë, si dhe shqetësimin e Bashkimit Evropian për sistemin klientelist në përdorimin e pronës publike dhe të zonave të mbrojtura.

Si përfaqësues të opozitës në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, kërkuam për të dytën herë radhazi, ja ku i kam të dyja kërkesat, kjo është kërkesa që unë kam bërë si nënkryetare e komisionit me datë 6, dorëzuar Igli Hasanit, pra kryetarit, për dijeni Niko Peleshit, kryetarit të Kuvendit dhe zotit Gazment Bardhi. Kërkesë e diskutuar, e ngritur ditën e martë, kur u diskutua kalendari i Kuvendit, por kryetari i komisionit as nuk e hodhi as për votim. Pra, nuk e pranuan kërkesën time si nënkryetare. Sot kemi dorëzuar përsëri një kërkesë të dytë, në mënyrë që të futen me prioritet në kalendarin e komisionit, katër projektligjet: atë për zonat e mbrojtura, për investimet strategjike, për paketën e maleve dhe për trashëgiminë kulturore. Pra kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur, në mënyrë që të futeshin në rendin e ditës dhe të kishim mundësi që të korrigjonim ato projektligje, të cilat na janë bërë pengesë për integrimin evropian.

Çfarë bëri Partia Socialiste? Votoi kundër. Edhe pse këto projektligje adresojnë shqetësimet më serioze të ngritura jo më larg se para dy ditësh edhe dje, në Komitetin e Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri. Duke i trajtuar me prioritet dhe duke miratuar propozimet që opozita i ka depozituar zyrtarisht, i jepet fund regjimit favorizues klientelist të investimeve strategjike, shfuqizohet paketa e maleve e cila dorëzon me 1 euro pronën publike dhe krijon me ligj special pronarët e përzgjedhur nga qeveria, shfuqizohen ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura duke rikthyer mbrojtjen efektive të tyre nga betonizimi dhe pastrimi i parave të pista përmes betonit, si dhe rikthejnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e cila sërish është lënë në mëshirën e betonit.

Nëse do t'i referohemi kalendarit të Kuvendit, do shihni në faqet 6 dhe 7 që janë futur në kalendar, keni dhe datën e depozitimit. Ndërkohë që komisioni të paktën në ditët në këtë javë dhe në javën që vjen, ka futur në kalendar për t'u diskutuar të gjitha projektligjet që janë depozituar më vonë në kohë sesa këto katër projektligje për të cilat po flasim. Projektligje që nuk kanë asnjë emergjencë.

Çfarë bëjnë? Pra thjesht refuzojnë që të marrin parasysh dhe të diskutojnë në bazë edhe të rregullores së Kuvendit, kërkesa e parë është bazuar në nenin 28, i cili i jep një instrument komisioneve që të fusin me përparësi në kalendarin e tyre për t'u diskutuar të gjithë ato projektligje që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian, dhe kërkesa e dytë në bazë të nenit 32.2 ku 1/4 e deputetëve kërkojnë dhe komisioni është i detyruar ta pranojë si kërkesë dhe të shqyrtojë projektligjet të cilat ne kemi kërkuar. Këto katër nisma nuk janë nisma të zakonshme të opozitës. Janë iniciativa pra, siç e thashë, që synojnë të korrigjojnë një model qeverisjeje që Bashkimi Evropian e ka identifikuar si problem për shtetin e së drejtës. Janë shqetësime që ngrihen në raportin e KE-së, janë shqetësime që ngrihen në rezolutën e Parlamentit Evropian të 17 qershorit. Janë pra shqetësime të diskutuara edhe nga eurodeputetët në Komitetin e Stabilizim-Asociimit. Vetë eurodeputetët jo vetëm kanë ngritur shqetësimin dhe alarmin për shkatërrimin e zonave të mbrojtura, ju jeni në dijeni të takimeve të tyre në Shqipëri, të takimeve dhe me ministrat, dhe janë habitur sesi ministri i ka thënë që janë prishur 7 kilometra rrugë në një zonë të mbrojtur, pse? Gjoja për të bërë studimin e zonës.

Nuk ndodh kurrë në asnjë vend të Bashkimit Evropian apo vende që aspirojnë për t'u futur në Bashkimin Evropian. Pra, me votën kundër sot për këto projektligje, Partia Socialiste po refuzon t'i kalojë në shqyrtim këto katër projektligje. Për çdo demokraci funksionale, parlamenti është institucioni ku përballen idetë, shqyrtohen alternativat, korrigjohen gabimet e qeverisë. 

Por këto projektligje, të cilat ne po i kërkojmë në mënyrë të përsëritur për t'u trajtuar dhe diskutuar me prioritet, kanë një rëndësi që shkon përtej dimensionit legjislativ. Përfaqësojnë një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të artikuluara prej javësh nga mijëra qytetarë që protestojnë në mënyrë paqësore në mbrojtje të zonave të mbrojtura, trashëgimisë kulturore, pronës publike e private, si dhe për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respektim të shtetit të së drejtës. Dëgjimi i zërit të qytetarëve, reflektimi institucional ndaj shqetësimeve të tyre, nuk është thjesht përgjegjësi politike, por standard themelor i demokracisë evropiane, i mbështetur në parimet e pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe qeverisjes së mirë.

Kjo është arsyeja pse opozita pra po e ngren në mënyrë të vazhdueshme këtë shqetësim. Pavarësisht se Kuvendi nuk po funksionon më si institucion kontrolli demokratik, por edhe njëherë e theksoj, si noter i vendimeve të kryeministrit. Bashkimi Evropian nuk mat vetëm sa kapituj ka hapur Shqipëria, por mat dhe cilësinë e demokracisë parlamentare. Mat nëse opozita mund të ushtrojë funksionin e saj kushtetues. Mat nëse parlamenti kontrollon qeverinë apo i bindet asaj. Mat nëse ligjet diskutohen në funksion të interesit publik apo bllokohen siç u bë sot për të mbrojtur interesat e pushtetarëve. Ky pra është edhe thelbi i shqetësimeve të ngritura si në raportin e KE-së, në rezolutën e Parlamentit Evropian.

Një parlament me rol të dobësuar, me hapësira gjithnjë e më të kufizuara për opozitën, me kontroll parlamentar të pamjaftueshëm për ekzekutivin. Prandaj vota e sotme kundër e Partisë Socialiste nuk është thjesht një votë kundër një propozimi të opozitës. Është një votë kundër rolit të parlamentit në procesin e integrimit evropian, është një votë kundër procesit të integrimit evropian.

Sa kohë që Kuvendi vazhdon të funksionojë si noteri i qeverisë, në vend që të jetë garant i interesit publik dhe i standardeve evropiane, Shqipëria nuk do të vazhdojë të hapë kapituj negociues apo t'i mbyllë ato, por nuk do të ndërtojë besimin politik që nevojitet për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Integrimi nuk pengohet nga opozita që kërkon debat, integrimi pengohet nga një shumicë që i mbyll derën debatit parlamentar sa herë që ai prek interesat e kryeministrit dhe të pushtetit. Faleminderit.