Anglia me probleme para Norvegjisë/ Guehi në dyshim, Rice mungon në stërvitje

Anglia po përballet me shqetësime të reja fizike vetëm pak ditë para çerekfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Norvegjisë. Mbrojtësi Marc Guehi është në dyshim serioz për këtë përballje, ndërsa mesfushori Declan Rice ka munguar në stërvitje për shkak të një viroze.

Skuadra e Thomas Tuchel po përgatitet për sfidën e madhe ndaj Norvegjisë së Erling Haalandit, e cila do të zhvillohet të shtunën në Miami. Pas fitores dramatike 3-2 ndaj Meksikës në fazën e 1/8-ave, lojtarët anglezë kanë shpenzuar shumë energji dhe tashmë stafi teknik duhet të menaxhojë disa probleme fizike.

Guehi rrezikon të mungojë ndaj Norvegjisë

Sipas raportimeve të BBC-së, Marc Guehi ka pësuar një dëmtim në pjesën e pasme të kofshës dhe mund të mos jetë i gatshëm për çerekfinalen.

Qendërmbrojtësi luajti 90 minuta ndaj Meksikës, ndërsa më pas u vendos në një program individual stërvitor. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë vetëm për lodhje muskulore, por ai do t’u nënshtrohet kontrolleve të reja.

Dëmtimi nuk konsiderohet i rëndë, por nëse Guehi nuk merr pjesë në stërvitjen e fundit para ndeshjes, shanset e tij për të luajtur zvogëlohen ndjeshëm.

Në rast mungese, Tuchel ka alternativa si John Stones, Dan Burn dhe Nathaniel Chalobah përkrah Ezri Konsas në qendër të mbrojtjes.

Rice mungon për shkak të virozës

Një tjetër shqetësim për Anglinë është Declan Rice. Mesfushori i Arsenalit ka munguar në dy seancat e fundit stërvitore për shkak të një viroze.

Stafi mjekësor po përpiqet të kontrollojë situatën, në mënyrë që sëmundja të mos përhapet te pjesa tjetër e skuadrës.

Rice është një nga lojtarët më të rëndësishëm në skemën e Tuchelit dhe rikthimi i tij në kohë për duelin me Norvegjinë do të ishte një lajm i madh për “Tre Luanët”.

Reece James rikthehet në stërvitje

Lajmi pozitiv për Anglinë është rikthimi i Reece James në stërvitje me grupin.

Mbrojtësi i Chelsea-t kishte munguar që prej dëmtimit në kofshë ndaj Ganës, por të enjten u bashkua me pjesën tjetër të ekipit. Edhe pse nuk e përfundoi të gjithë seancën, ai pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Norvegjisë.

Quansah mungon për dy ndeshje

Problemet shtohen edhe nga pezullimi i Jarell Quansah. Mbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq ndaj Meksikës pas ndërhyrjes së VAR-it dhe FIFA e ka pezulluar për dy takime.

Nëse Anglia eliminohet nga Norvegjia, Quansah do të mungojë vetëm në këtë sfidë, por në rast kualifikimi ai nuk do të jetë i gatshëm as për gjysmëfinalen.

Me Haalandin në formë të shkëlqyer, autor i shtatë golave në këtë Botëror, Anglia duhet të zgjidhë shpejt problemet fizike përpara një prej ndeshjeve më të rëndësishme të turneut.