SYRI TV/ Plazhi publik në Shëngjin nuk ka kushte, pensionistët: S’kemi mundësi në plazhe private

Plazhet publike në Shëngjin mbeten e vetmja zgjidhje për familjet që nuk kanë mundësi financiare dhe pensionistët.

Këta të fundit shprehen se nuk kanë mundësi të zgjedhin plazhet private teksa të këto publike papastërtia, mungesa e tualeteve publike janë disa nga problemet kryesore që hasin do ditë. Bashkia Lezhë nuk ka marrë masa për këtë situate.

SYRI TV

Teksa jemi në pikun e sezonit veror për shumë familje dhe pensionistë, plazhi publik në Shëngjin mbetet alternativa e vetme për të kaluar pushimet. Por kushtet që gjejnë aty lënë për të dëshiruar. Papastërtia në disa zona publike është kthyer në një nga shqetësimet kryesore të pushuesve, të cilët thonë se pastrimi nuk kryhet me të njëjtin ritëm si në hapësirat private me shezlongë dhe çadra.

Shumë pushues theksojnë se zgjedhin plazhin publik jo nga dëshira, por nga pamundësia ekonomike për të përballuar tarifat e plazheve private. Sipas tyre, pensionet dhe të ardhurat që kanë mezi mjaftojnë për shpenzimet e përditshme, ndërsa pagesa për çadra e shezlongë është një kosto e papërballueshme.

Mes sezonit turistik, ata kërkojnë më shumë kujdes për hapësirat publike, duke kërkuar pastrim të vazhdueshëm dhe investime në shërbimet bazë, në mënyrë që plazhi publik të ofrojë kushte të denja për të gjithë.