Protesta kundër Ramës mbërrin në PE, Bardhi: Eurodeputetët e kanë dëgjuar zërin e shqiptarëve
Zëri i qytetarëve që protestojnë prej 40 ditësh për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe keqqeverisjen në Shqipëri është dëgjuar në Parlamentin Europian, deklaron kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.
Sipas Bardhit, në mbështetje të kërkesave të protestuesve dhe shqetësimeve të tyre, u paraqitën disa amendamente në Rezolutën e Komisionit të Përbashkët të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, të mbështetura edhe nga një numër i konsiderueshëm eurodeputetësh.
PD akuzon deputetët e mazhorancës se votuan kundër këtyre amendamenteve, të cilat synonin mbrojtjen e zonave të mbrojtura, shfuqizimin e ligjeve që, sipas opozitës, po dëmtojnë pasuritë natyrore të vendit, si dhe mbështetjen e propozimeve të ngjashme të paraqitura nga disa eurodeputetë anëtarë të Komisionit të Përbashkët të Stabilizim-Asocimit.
Sipas deklaratës, amendamentet dhe vetë rezoluta nuk arritën të miratoheshin. Megjithatë, PD thekson se mesazhi i Parlamentit Europian ndaj protestuesve ishte i qartë: "Ju kanë ndjekur, ju kanë dëgjuar dhe ju mbështesin.”.
DEKLARATË E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI NGA PARLAMENTI EUROPIAN
Në Parlamentin Europian zëri i qytetarëve që protesojnë tashmë prej 40 ditëve është dëgjuar fuqishëm dhe siç duhet. Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në mbështetje të kërkesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre, por edhe një numër i konsiderueshëm eurodeputetësh, paraqitën disa amendamente në Rezolutën e Komisionit të Përbashkët të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri.
Me të njëjtën sjellje të sulmit ndaj qytetarëve, siç bëjnë në Tiranë, edhe në Strasburg, në Parlamentin Europian, deputetët e mazhorancës votuan kundër amendamenteve të Grupit Parlamentar të PD, për të mbrojtur zonat e mbrojtura, për të shfuqizuar ligjet që po shkatërrojnë pasuritë tona natyrore, si dhe për amendamentet e propozuara po në këtë drejtim nga disa prej eurodeputetëve anëtar të Komisionit të Përbashkët të Stabilizim-Asocimit.
Për fat të keq, këto amendamente dhe Rezoluta në tërësi nuk u votua, por një gjë nga Parlamenti Europian është e sigurt: ju kanë ndjekur, ju kanë dëgjuar dhe ju mbështesin.