40 ditë protesta, PS bllokon nismat e opozitës për Zonat e Mbrojtura dhe Investimet Strategjike
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas zhvillimeve në Komisionin për Çështjet e Integrimit, ku sipas saj mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për shqyrtimin me përparësi të disa nismave ligjore të lidhura me procesin e integrimit dhe kërkesat e protestuesve.
Përmes një postimi në Facebook, Vokshi akuzon Partinë Socialiste se po refuzon shfuqizimin e ligjeve për Zonat e Mbrojtura, Paketën e Maleve, Investimet Strategjike dhe ndryshimet për Trashëgiminë Kulturore.
Sipas saj, këto çështje lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e interesit publik, transparencën dhe standardet europiane.
Postimi i plotë:
Në emër të opozitës kërkova përsëri në Komisionin për Çështjet e Integrimit shqyrtimin me përparësi të katër ligjeve thelbësore për procesin e integrimit dhe përmbushjen e kërkesave të dhjetëra mijëra protestuesve, të cilët protestojnë prej më shumë se 40 ditësh.
Me votat kundër të deputetëve të Partisë Socialiste, nuk u miratua propozimi i opozitës për përfshirjen me prioritet të nismave ligjore që synojnë: shfuqizimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura, shfuqizimin e ligjit për “Paketën e Maleve”, shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, si dhe amendimin e ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.
Rëndësia e këtyre projektligjeve shkon përtej dimensionit të tyre legjislativ. Ato përfaqësojnë një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të artikuluara prej javësh nga mijëra qytetarë që protestojnë në mënyrë paqësore për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, trashëgimisë kulturore, pronës publike e private, si dhe për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respektim të shtetit të së drejtës.
Dëgjimi i zërit të qytetarëve dhe reflektimi institucional ndaj shqetësimeve të tyre nuk është vetëm një përgjegjësi politike, por edhe një standard themelor i demokracisë evropiane, i mbështetur në parimet e pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe qeverisjes së mirë.
Po kështu, këto nisma janë në përputhje të plotë me shqetësimet dhe rekomandimet e Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, e cila kërkon rishikimin e legjislacionit që cenon zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe interesin publik, si dhe garantimin e proceseve transparente dhe në përputhje me acquis dhe standardet e Bashkimit Evropian.