Banorët bllokojnë rrugën në Kashar: Kamionët e kompanisë 4AM po rrezikojnë shembjen e urës

Një situatë e tensionuar është regjistruar këtë të premte në fshatin Kus, në zonën e Kasharit, ku rreth 100 banorë kanë dalë në protestë dhe kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Ata shprehen se kalimi i vazhdueshëm i kamionëve të një kompanisë private 4AM, që po kryen punime në zonë ka dëmtuar rëndë urën e fshatit, duke ngritur shqetësime për sigurinë e saj.

Sipas banorëve, struktura mbajtëse e urës është dëmtuar në të dyja anët, ndërsa aksi rrugor është amortizuar nga mjetet që peshojnë mbi 40 tonë. Ata akuzojnë kompaninë se ka kryer vetëm ndërhyrje sipërfaqësore me zhavorr dhe gurë, të cilat, sipas tyre, nuk zgjidhin problemin dhe nuk garantojnë sigurinë e urës.

Banorët kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë deri në rikonstruksionin e plotë të urës. Ata theksojnë se nuk kundërshtojnë lëvizjen e automjeteve të zakonshme, por vetëm të kamionëve që, sipas tyre, po e përkeqësojnë gjendjen e infrastrukturës.

“Ne nuk kemi punë me mjetet e tjera. Kërkojmë vetëm që kamionët e rëndë të mos kalojnë më këtu, sepse ura nuk i mban. Kemi fëmijë dhe të moshuar që kalojnë çdo ditë në këtë aks rrugor,” u shpreh një prej banorëve gjatë protestës.

Sipas tyre, ura është pika kryesore që lidh fshatin Kus me fshatin Asqol dhe shërben si e vetmja rrugë kalimi për banorët e zonës. Ata paralajmërojnë se një shembje e mundshme do të izolonte plotësisht komunitetin, duke vështirësuar furnizimin me produkte bazë dhe aksesin në shërbimet e emergjencës.

Banorët shtojnë se ndërhyrja e fundit për asfaltimin e këtij aksi rrugor është kryer rreth 50 vite më parë, ndërsa prej atëherë nuk është bërë një rikonstruksion i plotë.

Aktualisht, mjetet e tonazhit të rëndë vijojnë të mbeten të bllokuara nga protestuesit, të cilët janë shprehur të vendosur të mos lejojnë kalimin e tyre derisa të merren masa konkrete për rikonstruksionin e urës. Deri në këto momente, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me pretendimet e banorëve apo për masat që do të ndërmerren.