Suksesi i vërtetë i ‘bombardimit’ spektakolar kundër Edi Ramës dhe Lucës së tij

Kur Edi Rama vendosi të mbrojë publikisht financimin me miliona euro të shqiptarëve të koncertit të Kanye West, ndoshta nuk e kishte parashikuar furinë e medieve perëndimore kundër tij.

Më të zëshmet ishin mediat gjermane pasi çështja e antisemitizmit rëndon më shumë mbi historinë e tyre. Në një analizë të gjatë, gazeta prestigjioze Frankfurter Allgemeine shkruan se një skandal i tillë, në mesin e protestave masive, vetëm sa konfirmon narrativën e protestuesve, që Edi Rama është një kryeqeveritar i korruptuar.

Që Edi Rama është i korruptuar dhe i shërben interesave të krimit, kjo nuk është ndonjë histori e re.

Por vetëm brenda pak orësh, protestuesit arritën të konfirmojnë me zgjuarsi edhe një tjetër narrativë të protestës, e cila prej më shumë se 40 ditësh kërkon dorëheqjen e Edi Ramës.

Duke bombarduar me vlerësime negative bizneset e Gjergj Lucës me shokë, ata treguan se Edi Rama është vërtet kreu i një narkoshteti që i shërben interesave të binomit krim-biznes.

Që të kuptohemi, praktikat e ‘review bombing’ nuk janë të mira për bizneset, por ato janë një formë tjetër e protestës së qytetarëve.

Të tilla raste janë regjistruar jo pak në vendet perëndimore. Kompani të mëdha dhe marka të njohura janë ‘bombarduar’ nga kritikat negative si shenjë e protestës ndaj qëndrimeve të tyre politike dhe jo vetëm.

Por asnjëherë nuk ka ndodhur kjo që ndodhi në rastin e Edi Ramës dhe Lucës së tij, kur shteti përdoret me urgjencë për të frikësuar, intimiduar apo shantazhuar protestuesit.

Skënder Hita nxitoi i pari të dalë si një ‘ushtar i mirë’ Shvejk për të kërcënuar protestuesit, duke folur me një gjuhë që u shkon vetëm diktaturave.

Më pas ishin ‘ushtarët e tjerë’ e tjerë të narkoregjimit në media, që nisën të shënjestrojnë me emra protestuesit, duke cituar ‘ligje’ dhe ‘ndëshkime’ nga bota perëndimore.

Këta dordolecë, që tashmë nuk trembin askënd, duhet ta dinë se çështje të tilla zgjidhen nga platformat ku lihen këto vlerësime.

Vetërregullimi dhe vetëpastrimi është një nga arsyet kryesore se përse këto platforma sot përfaqësojnë nivelet më të larta të marrëdhënieve ndërnjerëzore.

Kjo është gjithashtu arsyeja pse këto platforma qarkullojnë triliona dollarë dhe janë më fitimprurëset në planet.

Por nxitimi për të nxjerrë ‘ushtarët’ e narkoqeverisë për të kërcënuar qytetarët vetëm sa konfirmoi edhe njëherë narrativën e protestuesve se shteti nuk u shërben qytetarëve, por vetëm krimit, biznesit, oligarkisë dhe pushtetit të Edi Ramës.

Suksesi spektakolar i protestuesve ndaj Lucës dhe shokëve të tij konfirmoi atë që e shpallte para pak ditësh gazeta e njohur amerikane ‘Washington Post’: Rinia po e mund Ramën shumë keq në fushën e tij.

Jo vetëm që po e mund, por po e diskrediton përfundimisht.

Mbreti është komplet lakuriq!

Jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota perëndimore po çuditet dhe po qesh me të.