Detaje nga operacioni/ Droga nga Shqipëria drejt Italisë me autobusë linje, gra dhe të mitur si korrierë: 23 arrestime

Një operacion i madh i Antimafias italiane ka çuar në arrestimin e 23 personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge mes Shqipërisë dhe Italisë. Operacioni “Whisper”, i zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Leçes, zbuloi dy grupe të dyshuara kriminale që merreshin me trafikun e kokainës, heroinës dhe marijuanës.

Nga masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Leçes, 21 persona përfunduan në burg, ndërsa dy të tjerë u vendosën në arrest shtëpie. Hetimet kanë përfshirë disa zona të Italisë, mes tyre Leçe, Brindizi, Bari, Romë, Matera dhe Vibo Valentia.

Sipas hetuesve, grupet kriminale përdornin gra, të mitur dhe shtetas shqiptarë si korrierë për transportin e drogës me autobusët e linjës mes Shqipërisë dhe Italisë, një mënyrë që dyshohet se përdorej për të ulur rrezikun e zbulimit nga kontrollet.

Një nga grupet, sipas akuzës, kishte bazën në Oria. Organizatori i dyshuar, në bashkëpunim me familjarë të tij, dyshohet se siguronte sasi të mëdha heroine dhe kokaine nga Shqipëria. Droga fshihej fillimisht në një punishte dhe më pas transferohej në dy banesa në zona rurale, të cilat përdoreshin si ambiente për përpunimin dhe paketimin e saj.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se grupi kishte instaluar kamera me karta SIM 4G pranë kazermës së karabinierëve në Oria dhe në hyrjet kryesore të qytetit. Pajisjet, sipas autoriteteve, shërbenin për të monitoruar lëvizjet e forcave të rendit dhe për të parandaluar kontrollet.

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit është një dokument i shkruar me dorë, i fotografuar në telefonin e një prej të dyshuarave, i cili sipas hetuesve përbënte kontabilitetin e organizatës kriminale. Në të ishin shënuar lëvizje për 56 kilogramë heroinë dhe 4 kilogramë kokainë, me qarkullim financiar prej rreth 411 mijë eurosh.

Hetimi, i zhvilluar nga viti 2022 deri në vitin 2025, nisi pas operacionit “Ura”, të koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Barit në bashkëpunim me autoritetet speciale antimafia në Tiranë, që kishte zbuluar një kanal të konsoliduar furnizimi me drogë nga Shqipëria drejt rajonit të Salentos.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 58 kilogramë lëndë narkotike, konkretisht 30 kilogramë heroinë, 25 kilogramë marijuanë dhe 3 kilogramë kokainë, si dhe dy pistoleta, materiale paketimi dhe dy ambiente të përdorura si laboratorë për përpunimin e drogës.

Një tjetër grup i hetuar dyshohet se vepronte në zonën e Leçes dhe furnizohej me heroinë nga kanale shqiptare, ndërsa kokaina sigurohej përmes kontakteve me grupe kriminale në Kalabri. Sipas prokurorisë, drejtuesi i këtij grupi vijonte të jepte urdhra edhe nga burgu përmes bashkëshortes së tij.