Gazeta holandeze: Shpërthen zemërimi ndaj Ramës edhe për ‘Albanian Files’, arkitektët e huaj po ‘reflektojnë’

Me planin e tij për ta transformuar Shqipërinë me arkitekturë, si përmes ndërtimit të një resorti luksoz në një zonë natyrore, kryeministri Edi Rama ka tërhequr mbi vete zemërimin e popullit. Edhe zyrat holandeze të arkitekturës po vihen tani në shënjestër.

Nga Kirsten Hannema, De Volkskrant

"Do të jetë një dhuratë e Shqipërisë për Evropën," tha kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën britanike ‘The Observer’, duke folur për planin e Ivanka Trump dhe partnerit të saj Jared Kushner për të zhvilluar ishullin e paprekur Sazan, pranë bregdetit shqiptar, në një resort luksoz me dhjetë mijë dhoma hoteli.

Artikulli u botua më 22 maj, një ditë përpara se në fshatin bregdetar Zvërnec të shpërthenin protestat kundër planit, të cilat më pas u përhapën në kryeqytetin Tiranë. Që atëherë aty protestohet masivisht.

Jo vetëm nga mbrojtësit e natyrës, të cilët kanë frikë se specie të mbrojtura si flamingot do të zhduken; kundërshtimi drejtohet kundër kulturës së ndërtimit në përgjithësi dhe sistemit politik që qëndron pas saj.

"Shqipëria shihet si një parajsë për arkitektët që të eksperimentojnë, si një shesh lojërash, ashtu siç ishte dikur Roterdami," tha Elian Stefa, arkitekt dhe kurator nga Tirana, për The Architect’s Newspaper. "Por a përputhen të gjitha këto eksperimente me dëshirat e popullit? Shumë njerëz kanë ndjesinë se identiteti i kryeqytetit po ndryshon pa pëlqimin e tyre."

Zyrat holandeze

Edhe zyra të njohura holandeze ndërtojnë shumë në Shqipëri, si OMA (e njohur, ndër të tjera, për Kunsthal në Roterdam dhe selinë qendrore të televizionit shtetëror kinez) dhe MVRDV (ndër të tjera për Markthal dhe Depot e Muzeut Boijmans Van Beuningen në Roterdam).

Ato bëjnë pjesë në "Arch Army" (Ushtria e Arkitektëve), siç i quan Rama arkitektët e huaj të njohur që ka mbledhur rreth vetes për të transformuar vendin, me synimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Si kryetar i Bashkisë së Tiranës (2000–2011), socialisti Rama, artist me profesion, bëri që ndërtesat gri të periudhës komuniste të lyheshin me ngjyra dhe organizoi konkurse ndërkombëtare projektimi.

Si kryeministër (që nga viti 2013), ai vazhdoi me projekte si transformimi i Piramidës së diktatorit Enver Hoxha në një kompleks shumëfunksional për të rinjtë, projektuar nga MVRDV.

Zyra nga Roterdami projektoi gjithashtu edhe ndërtesën Skënderbeu, e cila paraqet kokën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti. Megjithatë, disa njerëz thonë se aty shohin kokën e vetë Ramës.

Së fundmi, zemërimi është drejtuar edhe ndaj kësaj "ushtrie arkitektësh".

Shkak është libri The Albanian Files, një vëllim prej tetëqind faqesh me projekte nga gjashtëdhjetë studio të huaja arkitekture, i redaktuar nga holandezja Anneke Abhelakh.

Veçanërisht shumë reagime ka shkaktuar kontributi i Reinier de Graaf, partner në OMA.

Ai i shkroi një letër të hapur Ramës, në të cilën sugjeron që të mos zhvillohen më zgjedhje, në mënyrë që "patroni i ndriçuar i arkitekturës" të mund të mbetet kryeministër për gjithë jetën, "madje ndoshta edhe si mbret."

Letra, e botuar nga Tirana Times, ishte menduar si ironike, por nga disa është interpretuar fjalë për fjalë – dhe është bërë benzinë mbi zjarrin e kundërshtarëve të Ramës, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij.

Nga hiçi

"Kjo nuk vjen nga hiçi," thotë arkitektja shqiptare me bazë në Holandë, Dorina Pllumbi. "Historitë lavdëruese në shtypin e huaj për projektet që arkitektët e famshëm po ndërtojnë këtu, deri tani kanë bërë që zërat kritikë të heshtin."

"Ajo që po ndodh tani në Tiranë është se qytetarët po organizohen dhe po bëjnë të dëgjohet zëri i tyre," shton kolegia e saj Klodiana Millona. Arkitektet kanë marrë pjesë ditët e fundit në demonstrata. Një grup protestuesish kishte sjellë një tortë ditëlindjeje prej betoni për Ramën, i cili të shtunën mbushi 62 vjeç.

Pllumbi dhe Millona shohin se The Albanian Files ka nxjerrë në sipërfaqe shumë zemërim të grumbulluar.

Për faktin që arkitektët e huaj marrin të gjitha mundësitë për të ndërtuar, ndërsa studiot shqiptare trajtohen si "rregullues lokalë" (local fixers).

Për natyrën që po zhduket dhe për Teatrin Kombëtar, i cili – ndërsa brenda ndodheshin ende aktivistë – u shemb me buldozer për t’i lënë vend një teatri të ri me kullë, sipas projektit të studios daneze BIG.

Për kullat në të cilat shumë apartamente qëndrojnë bosh, ndërkohë që qiraja mesatare në Tiranë rritet dhe shtëpitë ekzistuese familjare po shemben.

Kjo ngre pyetje mbi rrjedhat financiare që qëndrojnë pas projekteve të ndërtimit.

Raporte të ndryshme ndërkombëtare e kanë cilësuar sektorin shqiptar të ndërtimit si një vatër korrupsioni dhe pastrimi parash.

SPAK, prokuroria speciale kundër korrupsionit në Shqipëri, po heton mënyrën se si janë zhvilluar projektet e dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner.

Libri tregon se Rama është i përfshirë ngushtë në përzgjedhjen e arkitektëve për projektet.

Arkitekti i njohur kilian Alejandro Aravena shkruan se mori një mesazh nga një koleg, "nëse mund ta ndante numrin tim me kryeministrin e Shqipërisë."

"I thashë: sigurisht. Pesë minuta më vonë u kontaktova nga kryeministri për të pyetur nëse mund të shkoja në Tiranë për të biseduar mbi një projekt të mundshëm."

Ai fitoi konkursin e mbyllur për një rrokaqiell 300 metra të lartë, i cili do të ndërtohet në kryeqytet.

Drejtpërdrejtësi freskuese

Winy Maas nga MVRDV lavdëron "hapjen e Shqipërisë ndaj ideve të reja dhe gatishmërinë për të marrë rreziqe."

"Bindja e kryeministrit Edi Rama se arkitektura përbën një pjesë thelbësore të së ardhmes së vendit vendos tonin. Mënyra se si trajtohen projektet dëshmon për një drejtpërdrejtësi freskuese," thotë Maas.

Më 4 qershor, ditën e prezantimit të librit, Rama dha një intervistë për CNN lidhur me protestat kundër planeve për ishullin Sazan.

Ai tha se projekti i resortit do të tregonte se si natyra dhe ndërtimi mund të ecin dorë për dore, dhe mbajti përpara kamerës librin The Albanian Files.

"Kjo është prova se do të bëhet siç duhet," tha ai.

Në libër paraqiten resorte të ndryshme pushimi, ndër to edhe një kompleks në qytetin bregdetar Dhërmi (Drymades) me ndërtesa apartamentesh të bardha mesdhetare, të projektuara nga studioja e Roterdamit Cityförster.

Redaktorja Anneke Abhelakh është e habitur nga gjithë kjo bujë.

"Kur fillova librin, mendoja se po dokumentoja një periudhë. Ndërkohë e kuptoj se vetë dokumentimi mund të bëhet pjesë e historisë që ai regjistron. Ajo që tregon ky debat është se ekziston nevoja për më shumë transparencë mbi mënyrën se si ka ndodhur ky zhvillim."

Ajo e konsideron "domethënës" faktin që i njëjti libër iu dhurua nga Rama presidentit francez Emmanuel Macron si një shembull i transformimit të Shqipërisë, ndërsa protestuesit e përdorin atë si kritikë ndaj politikave të tij.

"Kjo nuk është një kundërshti, por një shenjë se kjo histori ende nuk është shkruar përfundimisht."

Shpërdorim pushteti

Belind Këlliçi, deputet i Partisë Demokratike, e sheh librin si provë të shpërdorimit të pushtetit dhe të praktikave të paligjshme të ndërtimit. Ai kërkon që të zhvillohet një hetim për të verifikuar se si, sipas tij, arkitektët e huaj kanë përfituar nga projektet e mëdha publike në Shqipëri.

Reinier de Graaf beson se Rama "filloi me qëllime të sinqerta" transformimin e madh të Shqipërisë dhe se janë realizuar projekte të mira.

Si shembull ai përmend projektin e banimit Mangalem 21, të cilin e ndërtoi në Tiranë. Ai përbëhet nga 1.200 apartamente (me qira të mesme), të shpërndara në blloqe shumëngjyrëshe rreth shesheve të gjelbra.

Por vitet e fundit ai sheh "një proces të përqendrimit të pushtetit".

"Fillimisht ne ia paraqisnim planet bashkisë. Pas një ndryshimi ligjor në vitin 2024, tani ne raportojmë te agjencia shtetërore AZHT, e cila i jep llogari drejtpërdrejt kryeministrit."

Me letrën e tij ai donte të vinte në diskutim marrëdhënien midis arkitekturës dhe pushtetit; ai shkruan shpesh për këtë temë, ku ironia është marka e tij dalluese.

"Ironia është një mjet për të qenë kritik pa ndodhur automatikisht që të mos mund të punosh më askund ose të prishësh gjithçka," thotë De Graaf.

Studioja e tij aktualisht po punon mbi projektin për transformimin e stadiumit Selman Stërmasi në Tiranë, ku planifikohet t’i shtohen stadiumit dy kulla.

Rama reagoi në podcastin Flasim ndaj polemikave rreth librit.

Ai tha se "teksti është interpretuar gabimisht dhe është përdorur si pjesë e një 'inkuizicioni' kundër botimit."

Ai shtoi se letra e De Graaf-it tregon pikërisht se ka hapësirë për kritikë.

Për shkak të gjithë kësaj buje, javën e kaluar De Graaf publikoi një letër të dytë në Tirana Times, në të cilën shpjegon se letra e tij e parë ishte satirë.

Pllumbi dhe Millona nuk i kushtojnë rëndësi këtij shpjegimi.

Millona thotë: "Në Shqipëri e kemi kuptuar prej kohësh se arkitektura dhe pushteti janë të lidhura me njëra-tjetrën."