Berat/ Këmbim valutor pa licencë, Prokuroria kërkon masa sigurie për 11 persona, sekuestrohen miliona lekë dhe valuta

Prokuroria e Beratit ka kërkuar masa sigurie për 11 persona të dyshuar për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit financiar, konkretisht për kryerjen e këmbimit valutor pa licencë nga autoritetet kompetente.

Sipas organit të akuzës, pas një hetimi proaktiv gjashtëmujor, është dokumentuar se administratorë dhe punonjës të gjashtë subjekteve tregtare në qarkun Berat dyshohet se kanë ushtruar aktivitet këmbimi valutor pa autorizimin e Bankës së Shqipërisë.

Hetimi është shtrirë në pesë bashki të qarkut Berat dhe ka çuar në dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar të paligjshme të shtetasve me inicialet S.T., H.S., M.M., S.H., S.C., A.H., A.S., O.V., Z.M., E.T. dhe K.P.

Sipas Prokurorisë, këta persona kishin të regjistruara biznese si agjentë për transferta parash në emër dhe për llogari të institucioneve financiare jo banka, si Unionnet dhe Western Union. Megjithatë, verifikimet kanë treguar se këto pika nuk rezultonin të regjistruara si zyra të këmbimit valutor të licencuara nga Banka e Shqipërisë.

Gjatë hetimit, me autorizim të Prokurorisë, janë kryer veprime të simuluara dhe regjistrime të fshehta fotografike e filmike. Në total janë realizuar 28 transaksione këmbimi valutor në subjektet e dyshuara, duke dokumentuar aktivitetin pa licencë.

Në kuadër të kontrolleve të kryera, autoritetet kanë sekuestruar 88 milionë lekë, 118 mijë euro, 7390 dollarë dhe 665 paund.

Për 11 personat nën hetim, Prokuroria e Beratit ka kërkuar masat e sigurimit “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.