‘Kriza e fertilitetit në Shqipëri’/ Pano: Çdo 5 min kemi një person që ikën për të mos u kthyer më!
Xhonatan Pano, këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ngriti alarmin për shpopullimin dhe largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria, gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV me moderatoren Greta Togani.
Sipas tij, vendi po përballet me një krizë demografike dhe ekonomike, ndërsa mijëra të rinj të arsimuar po zgjedhin emigracionin për shkak të mungesës së mundësive dhe kushteve dinjitoze të punës.
Pano theksoi se vetëm gjatë vitit të fundit janë dhënë rreth 18 mijë leje pune për shtetas të huaj, kryesisht nga India, Filipinet dhe vende të tjera, për të mbushur boshllëqet e krijuara nga largimi i shqiptarëve.
Pano: Raportin të cilin ka dalë për lejet e qëndrimit që janë dhënë në Shqipëri, a e dini vetëm vitin e fundit kemi rreth 18 mijë leje pune për të huajt që janë dhënë në Shqipëri. Pra 17.800-shja që kanë ngelur shqiptarët pa vende pune janë suplementuar nga persona të tjerë që kanë ardhur nga Filipinet, nga India apo nga vende të tjera të botës dhe për të ardhur për të punuar në Shqipëri. Nga këto 18 mijë leje qëndrimi dhe leje pune që janë dhënë, 14 mijë prej të cilave janë për herë të parë. Pra janë persona që po vijnë për herë të parë në Shqipëri për të punuar. Dhe ndërkohë ne shikojmë një rënie shumë dramatike gjithashtu përsa i përket bujqësisë, ne kemi një rënie me rreth 3.5% të personave të punësuar në sektorin e bujqësisë, dhe kemi një rritje me 3.5% me personat e punësuar në sektorin e shërbimeve. Pra sa vjen dhe ekonomia shqiptare po bëhet akoma më e varur në pjesën e shërbimeve, të cilat për mendimin tim është një risk shumë i madh për qëndrueshmërinë e Shqipërisë. Po pse këta të rinj shqiptarë nuk duan apo nuk po gjejnë vende pune se për të thënë nuk duan nuk është fjala e duhur? Nuk është vetëm sepse nuk ka. Janë edhe kushte të cilat po i ofrohen në ambientet e tyre të punës, janë pagat të cilat po i ofrohen. Vetëm javën e kaluar unë isha në Greqi dhe është turp që ne shkojmë në Greqi dhe dëgjojmë shqip, ndërkohë që ne po të shkojmë në Dhërmi ne vetëm shqip nuk dëgjojmë nga stafi dhe fillojmë dëgjojmë anglisht kryesisht. Pra cilat janë ato kushte dhe standarde të cilat punëdhënësit shqiptarë po i jep punonjësve, për një pagë dinjitoze, për trajtimin ashtu siç duhet, me dinjitet dhe më pastaj të gjithë së bashku të ndërtojmë një ekonomi më të fortë dhe më të qëndrueshme. Një faktor që është shumë interesant në raportin e punës që unë e shikoj dhe si studiues të viteve të fundit, është raporti NEET që është Not in Employment, Education or Training. Është një statistikë që nxjerr për të rinjtë nga mosha 16 deri në 24 vjeçare që analizon a janë në edukim, në punësim apo në trajnim. Dhe në letër duket sikur kjo përqindje ka rënë sepse ne kemi qenë gati 25% përpara tre vitesh, tani jemi 22%. Por çfarë na tregon kjo e dhënë? Kjo e dhënë na tregon që të rinjtë e kësaj grupmoshe nuk janë të interesuar as të punojnë, as të edukohen, as të jenë në një trajnim aktiv dhe fokusi i tyre është si të largohen. Sepse ne duhet të jemi koshient dhe t'i shikojmë të vërtetën në sy, kriza më e madhe që ne kemi patur këto 13 vitet e fundit ka qenë shpopullimi, na kanë ikur të rinjtë. Kemi një rritje të moshës mesatare me gati një dekadë gjashtë vitet e fundit të moshës mesatare. Dhe vetëm në 2024-ën ne kemi mbi 101 mijë persona që janë larguar që është 2.5 herë më shumë sesa thotë INSTAT-i. Pra çdo 5 minuta ne kemi patur një person i cili është larguar për të mos u kthyer më. Cilët janë këta persona që po largohen? Ja pra ku i kemi. Kemi gati 18 mijë persona të tjerë të cilët janë me një diplomë universitare të cilët nuk po e gjejnë veten e tyre këtu në Shqipëri. Po këta persona janë ata që nesër do të drejtojnë biznese, janë prindër të ardhshëm sepse bashkë me shpopullimin ne kemi dhe një krizë fertiliteti aktualisht në Shqipëri. Që nesër këta persona do të jenë prindër, do të jenë drejtues biznesesh, do të jenë punonjës administrate, do të jenë votues. Dhe do të jenë persona të cilët do të marrin vendime mbi të ardhmen e vendit. Dhe në vend që ne t'i stimulojmë dhe t'i japim një dritare dhe një derë, t'i hapim derën që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, ne po i dëbojmë dhe po i themi Shqipëria nuk ka vend për ju.