‘Më jep celularin’/ Burri vrau me çifte gruan, zbulohen detaje nga krimi i rëndë në Shkodër
Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e 55-vjeçares Bardhe Ziçi, e cila humbi jetën një ditë më parë në Shkodër, pasi u qëllua me armë gjahu nga bashkëshorti i saj, Shtjefën Ziçi. Hetuesit kanë ngritur si pistë kryesore të ngjarjes motivin e xhelozisë mes çiftit.
Sipas burimeve hetimore, pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë se pak çaste para krimit ka pasur një debat mes bashkëshortëve, pasi 62-vjeçari i kishte kërkuar gruas së tij telefonin celular. Pas përplasjes verbale, ai është futur në banesë, ka marrë çiften që e mbante me leje dhe ka qëlluar ndaj bashkëshortes, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Autori i dyshuar nuk ka dhënë ende një deklarim zyrtar për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike pas ngjarjes. Ndërkohë, pala mbrojtëse këmbëngul se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale. Sipas saj, Shtjefën Ziçi kishte marrë armën për ta pastruar dhe nuk kishte dijeni se ajo ishte e mbushur me fishekë, pasi arma ishte përgatitur më herët nga bashkëshortja e tij.
Megjithatë, bazuar në provat e mbledhura deri tani, dëshmitë dhe materialet filmike, grupi hetimor vijon të dyshojë se krimi lidhet me motive xhelozie. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në momentet e para pas arrestimit, autori i dyshuar ka shprehur se nuk ishte penduar për veprimin e kryer, megjithëse këto deklarime nuk konsiderohen ende dëshmi zyrtare.
Familjarë të çiftit kanë bërë të ditur se Shtjefën Ziçi ka kërkuar që për bashkëshorten e ndjerë të kryhen të gjitha ceremonitë mortore sipas traditave të zonës së Dukagjinit dhe që asaj t’i bëhen nderimet e plota nga familja ku ishte martuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:30 të datës 9 korrik në unazën lindore të Shkodrës. Sipas hetimeve paraprake, pas debatit në dyqanin ushqimor pranë banesës, autori ka marrë armën dhe ka qëlluar dy herë ndaj bashkëshortes në pragun e shtëpisë. Viktima tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Çifti ishte prind i dy fëmijëve, një djali që jeton në Kanada dhe një vajze që shërben si oficere në repartin ushtarak të Vau Dejësit. Të njohur nga banorët e zonës si njerëz të qetë dhe pa konflikte të njohura, ata punonin prej vitesh së bashku në biznesin familjar.
Policia sekuestroi armën e krimit dhe arrestoi autorin në vendngjarje. Shtjefën Ziçi nuk tentoi të largohej dhe u dorëzua pa bërë rezistencë. Ndërkohë, hetuesit kanë sekuestruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe dinamikën e kësaj ngjarjeje që tronditi opinionin publik.