'Fondet publike, tepsi për t’u ndarë'/ Çaça: Prioritet të ishte mbrojtja nga zjarret, jo projekte me kosto të fryra

Avokati Përparim Çaça, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri TV, ngriti shqetësime mbi përdorimin e një huaje të miratuar nga Kuvendi për një projektin 'Smart City', duke vënë në pikëpyetje prioritetet e qeverisë dhe mënyrën e administrimit të fondeve publike.

Sipas Çaçës, fondet do të duhej të orientoheshin drejt sektorëve më urgjentë, si mbrojtja nga zjarret, duke përmendur mungesën e mjeteve ajrore të specializuara për shuarjen e tyre. Ai argumentoi se investime të tilla do të kishin ndikim më të drejtpërdrejtë për qytetarët.

Avokati akuzoi mazhorancën për fryrje të fondeve limit në tenderët publikë, me qëllim, sipas tij, abuzimin me paratë publike. Ai tha se kostot e investimeve në Shqipëri rezultojnë më të larta se mesatarja europiane, ndërsa cilësia e punimeve mbetet problematike.

Duke iu referuar edhe skandalit të AKSHI-t, Çaça deklaroi se besueshmëria e sistemit të prokurimeve është lëkundur dhe se tenderi në fjalë paraqet elemente që, sipas tij, e klasifikojnë si një “tender me flamur të kuq”. Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për një rast emergjent që do të justifikonte procedura të veçanta.

Në vijim, ai kritikoi mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe kërkoi një reformë të thellë të sistemit, duke pretenduar se ndërhyrjet në proceset e tenderimit dhe shqyrtimit të ankesave kanë cenuar konkurrencën e ndershme.

Më tej, Çaça u bëri thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese të hetojnë tenderët që konsiderohen me “flamur të kuq”, duke theksuar se fondet e marra hua duhet të përdoren për investime në interes të qytetarëve dhe jo, sipas tij, për abuzime me paratë publike.

Çaça:

A jemi tek pjesa e prioriteteve në rastin konkret, sepse po bëhet fjalë për një hua e cila është miratuar fatkeqësisht, për këtë lloj fondi, pra kjo lloj huaje edhe nga Parlamenti, dhe normalisht do të duhet të shkonte në një nga pjesët apo sektorët më nevralgjikë, po themi, të shoqërisë shqiptare. A do të duhet të shkonte këtu, po themi, në këtë projekt i cili duket shumë i bukur, shumë trendi me thënë të drejtën, por nuk e di, një projekt që veriun e bën si syri i një Big Brother-i të madh. Problemi është që a nuk do të kishte fusha të tjera siç, për mendimin tim, mund të ishte siguria përsa i përket zjarreve. Mund të kishim blerë minimalisht të paktën një herë një avion Canadair, sepse jemi bërë gazi i botës, po themi, në rastin konkret për të shuar zjarret, që është pothuajse inekzistente.

Harxhojmë më shumë, po themi, karburant me helikopterin sesa ajo kova e ujit, po themi, që hedhin për të shuar zjarret, që është pothuajse inekzistente. E para kjo. E dyta, ka një politikë dhe ka një qasje kjo mazhorancë, faktikisht nuk është e rastësishme, unë besoj që është e qëllimshme, me dashje, që ka të bëjë pikërisht me atë që i bëhet fondeve në këtë vend, fondeve publike, që ka të bëjë me fryrjen e shifrave. Pra, fryrjen e fondit limit në mënyrë që realisht ata që të vjedhin, të vjedhin sa më shumë. Do të duhet ta themi troç. Kjo duket në çdo lloj rruge, pra në të gjitha këto koncesionet, në çfarëdo lloj sektori të merrni, gjithçka është madje më shumë sesa mesatarja europiane. Është faktikësi, po themi, të tilla, po ja që po ndodh, pra. Në çdo lloj investimi që bëhet në këtë vend, në çdo lloj prokurimi nëse do ta merrni në aspektin krahasimor, do shikoni që realisht ne jemi shumë më lart sesa Europa. Pastaj cilësia ose, po themi, pasojat që vijnë më pas në kuptimin e kryerjes së punës, është skandaloze. Pra, kjo është e dyta. E treta pastaj, është siguria në kuptimin e asaj që ne do të duhet të quajmë një proces fair, pra një proces të ndershëm që ka të bëjë me tenderimin.

Që nga momenti që ka dalë skandali i AKSHI-t, unë besoj që ky fond është i lëkundur. Pra, që do të thotë që gjithçka mund të ndërhyhet. Dhe për t'ju përgjigjur edhe pyetjes tuaj, do të thoja që edhe pse në legjislacion parashikohen këto lloj raste, po themi, të jashtëzakonshme, nuk jemi përpara një rasti të tillë sepse këtu në Shqipëri faktikisht, për ta artikuluar, për ta kanalizuar, po themi, rastin në kuptimin e një emergjence të caktuar, çfarë nuk ndodh. Siç është rasti i financimeve, faktikisht, edhe për koncertin e Kanye West. Pra, për mendimin tim është një qasje që ka kjo mazhorancë, faktikisht në lidhje me abuzimet që bëhet me fondet publike, duke i fryrë sa më shumë ata, dhe normalisht një përqindje shumë e vogël në fakt shkon për investimin. A do të duhet që edhe Shqipëria, faktikisht, të projektohet pikërisht në sigurinë e dixhitalizimit e të tjerë? Unë besoj që po. Por këto shifra janë alarmante, janë shifra shumë të fryra dhe nuk përligjin absolutisht atë qëllim, faktikisht, që ka pasur, të paktën edhe legjislatori në rastin konkret, përsa i përket pikërisht këtij projekti specifik. Mendoj që kemi të bëjmë ndjeshëm me një tender me flamur të kuq, që ndoshta në ditët në vijim mund të shikojmë edhe të reja të tjera.

Unë besoj që kjo... tani më thuaj çfarë është transparente në këtë vend. Po marrim edhe atë, po themi, kush ishte indicia edhe përsa i përket kësaj proteste të jashtëzakonshme, kohët e fundit qytetare. Ishte pikërisht se mungonte një transparencë për një projekt të caktuar, për një investim të caktuar i cili, faktikisht, në rastin konkret nuk është se është anatemuar në parim, sepse kemi të bëjmë me një investim të huaj të madh e të tjera. E para që, po themi, është anatemuar, është kundërshtuar, ka të bëjë me faktin që nuk ka transparencë. Nuk ka transparencë sepse, ashtu siç e koncepton ky kryeministër, po themi, këtë tavën e madhe, këtë tepsinë e madhe të Shqipërisë, është që ai mund t'i ndajë, mund t'i japë ato copat si ai e ka menduar dhe e ka gjykuar, po themi, për miqtë, për qoka e të tjera. Problemi më i madh është këtu që, nuk ka transparencë jo vetëm në këtë, unë besoj që në prokurimet publike duhet një reformë e thellë.

Kjo qeveri nuk e bën më, ka dështuar totalisht. Sepse duket sikur shikohet si një gjë... si një sekretari e madhe, po themi, mënyra se si bëhen prokurimet publike. Unë kam qenë edhe drejtues para shumë viteve dhe reforma e vërtetë në prokurimet publike, faktikisht, u bë gjatë qeverisjes së zotit Berisha 2005-2013, ku kaluam, faktikisht, nga prokurimet të cilat ishin me ato zarfet e famshme, në prokurimet elektronike. Dhe deri diku funksiononte sistemi. Sistemi funksionon kur ti nuk fut duart në sistem. Nëse ti me anë të AKSHI-t, me anë të pjesës së sigurisë më pas nuk ke nevojë dhe bën lloj-lloj makinacionesh për të fituar tenderimet, për t'i marrë ato gjithmonë në kufijtë e fondit limit, do të thotë që ti nuk mund të bësh më transparencë sepse normalisht dihet. Dhe më pas edhe ankimimet që bëhen, faktikisht, në Komisionin e Prokurimeve Publike janë gjithmonë pastaj të orientuara, ose, le të themi, edhe përgjigjet, ose si me thënë, ato ankimet dihet se çfarë përgjigje do kenë duke pasur parasysh se ka ndërhyrje të pushtetit. Pra, dhe ky është një problem shumë i madh sepse transparenca aty është zero. Madje unë do të ftoja të gjitha institucionet, e sidomos Kontrollin e Lartë të Shtetit që është institucioni i parë, por edhe institucione të tjera, pse jo ligjzbatuese, ky problem përsa i përket këtyre tenderimeve, po themi, të cilat janë të përcaktuara si me flamur të kuq, do të duhet realisht të jenë objekt hetimi. Ka ardhur koha që nuk mund të vazhdojmë me paratë e qytetarëve, të taksapaguesve, sidomos atë që, madje kemi të bëjmë me para të cilat janë marrë hua. Janë marrë hua për të bërë një investim të rëndësishëm për të ndryshuar jetën e qytetarëve, dhe në fakt shikohen vetëm si një fond për t'i ndarë dhe për t'i futur në xhepat e tyre.