Vllaznia përmbys Malishevën në një ndeshje dramatike, Qato dhe Musta heronjtë e kuqebluve

Vllaznia ka nisur me një fitore të rëndësishme aventurën në Ligën e Konferencës, duke mposhtur Malishevën me rezultatin 2-1 në sfidën e parë të turit të parë kualifikues, të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.

Skuadra kosovare e nisi në mënyrën më të mirë takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e tretë. Një gol spektakolar olimpik surprizoi mbrojtjen shkodrane dhe i dha Malishevës epërsinë e hershme.

Megjithatë, Vllaznia nuk u dorëzua dhe reagoi shpejt. Të besuarit e Edi Martinit gjetën barazimin me anë të Qatos, duke rikthyer ekuilibrin në një ndeshje që premtonte emocione.

Pjesa e dytë solli momentin vendimtar të sfidës. Në minutën e 55-të, Skovgard u ndëshkua me karton të kuq pasi shkaktoi faull si lojtar i fundit i Malishevës, duke lënë skuadrën mike me 10 lojtarë.

Nga goditja e dënimit të akorduar pas këtij episodi, Musta mori përsipër ekzekutimin dhe realizoi golin e përmbysjes, duke i dhuruar Vllaznisë një fitore të çmuar në debutimin e tij me fanellën kuqeblu.

Triumfi merr edhe më shumë vlerë duke pasur parasysh situatën e pazakontë në të cilën ndodhet Vllaznia. Për këtë përballje, në stolin e shkodranëve kishte vetëm futbollistë të akademisë, ndërsa të federuarit e rinj ishin vetëm Toma dhe Musta. Pjesa tjetër e grupit përbëhej nga lojtarë të mbetur nga sezoni i kaluar.