SYRI TV/ 40 ditë protestë qytetare në Tiranë, protestuesit: Rama jepe dorëheqjen
Është zhvilluar në Tiranë, mbrëmjen e së enjtes, protesta e 40-të radhazi. Mijëra qytetarë qëndruan për disa orë përpara Kryeministrisë, ku kërkuan dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Edhe në ditën e 40-të të protestës, qytetarët deklaruan se tubimet nuk do të ndalen deri në arritjen e qëllimit të tyre, ndërsa kërkojnë krijimin e një qeverie teknike që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend. Ndërkohë, protestuesit paralajmëruan se të shtunën do të zhvillohet një tjetër protestë kombëtare, gjatë së cilës pritet të bojkotohet edhe koncerti i Kanye West.
Mijëra qytetarë të Tiranës dhe jo vetëm protestuan edhe këtë të enjte përpara Kryeministrisë, nga ku kërkuan dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.
Kjo e enjte shënoi ditën e 40-të të protestës qytetare. Siç është kthyer tashmë në traditë, protestuesit u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, duke brohoritur thirrjet e tyre.
Organizatorët e protestës rilexuan pesë pikat e kërkesave, ndërsa u shprehën se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet kusht i panegociueshëm.
Në kulmin e debatit për zhvillimin e koncertit të reperit Kanye West, protestuesit përcollën edhe këtë të enjte një mesazh për kryeministrin, duke kundërshtuar vendimin, sipas tyre, për të shpenzuar 4 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.
Gjatë protestës mbajtën fjalën qytetarë të shumtë, të cilët folën për pasojat e, sipas tyre, keqqeverisjes, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Ata u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve t'i bashkohen protestës kombëtare që do të zhvillohet të shtunën, më 11 korrik, në Tiranë.