VIDEO/ Artan Hoxha-Ramës: 4 mln euro për koncertin, ndërsa zjarrfikësit luftojnë zjarret me shkurre

Gazetari Artan Hoxha ka kritikuar ashpër vendimin e qeverisë për financimin e mijëra biletave për koncertin e Kanye West në Tiranë, duke e cilësuar një veprim të papërgjegjshëm në një kohë kur vendi përballet me probleme të shumta.

I ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’, Hoxha tha se në kulmin e protestave kundër qeverisë, vendimi për të firmosur financimin e 40 mijë biletave, me një vlerë prej rreth 4 milionë eurosh, është një zgjedhje që ka shkaktuar reagim të fortë publik.

Sipas gazetarit, qeveria po justifikon shpenzimin e parave publike me argumentin e imazhit ndërkombëtar, ndërsa sipas tij bëhet fjalë për një aktivitet privat.  Hoxha solli edhe shembuj të tjerë ku, sipas tij, paratë publike përdoren për të mbuluar dështime organizative.

Duke folur për klimën politike në vend, Hoxha tha se pakënaqësia e krijuar nga vendimet e qeverisë ka bërë që çdo person apo institucion që perceptohet si mbështetës i kryeministrit të jetë nën presion publik.

‘Në kulmin e protestës, të vesh të firmosësh është një vendim si ky që bëri Rama, për të financuar 40 mijë bileta, se aq janë, fiks 40 mijë bileta. Pra, të çosh 4 milionë euro. Kur flota e zjarrfikëseve këtu ulërin, thotë jemi keq, u bë qameti, dhe ti thua, këtu turpërohet Shqipëria!

Shqipëria turpërohet kur zjarrfikësi shkon me shkurre nëpër duar për të fikur zjarrin. Aty turpërohet Shqipëria. Nuk turpërohet Shqipëria a bën koncert ai apo jo. Humbet Shqipëria aty, e kupton? Humbet Shqipëria aty!

Ai po flet vetëm për imazhin. Dhe çfarë bën? Në këtë moment, ai vete e firmos, pra edhe pse është në këtë situatë, edhe pse i ka vajtur laku në fyt, ai prapë vete e firmos atje. ‘E firmosa në minutën e fundit,’ thotë, ‘për të shpëtuar imazhin e Shqipërisë.’ Çfarë imazhi shpëton ti, po çpunë ke ti me një koncert privat?!

Po të them kot, u doli ai Malindi, dhe do të dalë ai se i ka llogaritur t'i vijnë 10 mijë veta atje në Skrapar, nuk kanë ardhur 10 mijë, kanë ardhur 3 mijë. Do t'i sponsorizojë bashkia 7 mijë biletat e tjera! Bile po t'ia japësh, se Dulja do i lërë në Shqipëri, do vejë të bëjë me mekamin në Malind, aty do t'i lërë.

po i tretë ato para, po i çon askund. Po krijon një precedent shumë të rrezikshëm. Njerëzit prandaj janë në protestë, ai në kulmin e protestës vete i fut dhe këtë gjënë atje përsipër dhe pastaj thotë pse reagojnë njerëzit.

Njerëzit, çdo gjë që identifikohet si mbështetës i Edi Ramës në këtë moment, si njeri që ka përfituar nga Edi Rama, është targetuar, të gjithë andej domethënë.

Toka ku po bëhet koncerti, se i njoh pronarët e tokës. E di çfarë u kanë bërë atyre pronarëve? Ja u kanë marrë me çmim skandaloz dhe kanë thënë që këtu do ndërtohet një kompani izraelite.

Për këtë u është marrë. Dhe ndërkohë papritmas ajo u sheshua dhe u thanë do bëjmë një stadium. Pra edhe këtu, njësoj si në gjithë vendet e tjera të Shqipërisë, pronarëve të tokës u është grabitur toka. Dhe pronari i tokës tani i thonë: ‘Hajde bli edhe biletën ti të shohësh koncert.’, u shpreh gazetari Artan Hoxha në SYRI TV.