Protesta e 40-të/ Susaj: Kjo nuk është protestë partie, është ngritja e shqiptarëve për interesat kombëtare
Pedagogu Lush Susaj ka mbajtur një fjalim të fortë në protestën e 40-të të qytetarëve para Kryeministrisë, ku mijëra protestues vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Susaj falënderoi qytetarët për qëndresën dhe akuzoi qeverinë Rama për korrupsion, nepotizëm dhe largim nga interesat e qytetarëve.
Nga sheshi i protestës, pedagogu u bëri thirrje studentëve, të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë që të mos heshtin dhe të angazhohen për mbrojtjen e pluralizmit dhe demokracisë.
Ai theksoi se protesta është e qytetarëve dhe jo e një partie politike, duke kërkuar gjithashtu mbështetjen e faktorit ndërkombëtar përballë situatës politike në vend.
Pedagogu Lush Susaj: Të nderuar bashkëqytetarë, ju falënderoj dhe ju shpreh mirënjohjen time të thellë për qëndresën dhe për kontributin që po jepni duke ia çjerrë maskat kësaj qeverisjes më të korruptuar, me kakistokratike, me hajdute e me nepotike e antishqiptare që ka pasur Shqipëria që nga viti 1912 kur jemi bërë shtet i pavarur.
Së dyti, i bëj thirrje studentëve dhe nxënësve të Shqipërisë. Hidhni tutje të gjitha propagandat e partive politike të dalura nga mitra e përgjakur e Partisë Komuniste dhe Partisë së Punës e kthejuni interesave kombëtare. Kjo protestë është në shërbim të kombit, nuk është as e Tiranës, as e kujt në botë. Jemi ne shqiptarët që jemi ngritur për interesat tona dhe duhet të luftojmë deri në fund që të kthejmë Republikën e të kthejmë me çdo mjet pluralizmin dhe demokracinë. Pa pluralizëm dhe demokraci, më mirë me ik me vrap e me emigruar në Korenë e Veriut sesa me ndenjt këtu në një vend që është pa spitale, pa shkolla, pa mjedis, pa standarde për Shqipërinë dhe shqiptarët. Prandaj ju bëj thirrje, është luftë për jetë a vdekje në interes të pluralizmit dhe të demokracisë.
Së treti, i bëj thirrje ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian, i bëj thirrje ambasadorit të Shteteve të Bashkuara dhe gjithë ambasadorëve miq. Të na ndihmoni dhe të na qëndroni në krah si shqiptarë, se me klasën politike sovjeto-bolshevike jemi të mërzitur, është mërzitur dhe Evropa dhe nuk është hajri jonë, as hajri i Evropës. Shihni nga brezi i ri i Shqipërisë, shihni nga njerëzit me duar të pastra, me fytyra të pastra e pa u lyer me dherat e korrupsionit.
Së fundi... dhe duhet ta mbyll. Ju lutem, ju që rrini në këtë protestë, hajdeni me zemër të plotë dhe largohuni me zemër të plotë se aq sa keni mundësi i keni shërbyer Shqipërisë. Ju që heshtni, ju që fusni kokën në dhe si struci në rërë, ju që fshiheni e bëni sehirxhiun, ka me ju mbuluar turpi po qetë njerëz... Dhe do t'i lutesha të gjithë atyre që kanë komunikim me mediat apo me strukturat e qeverisë. Kjo protestë është e popullit shqiptar, nuk është e asnjë partie politike. Lusim Zotin që kjo protestë të finalizohet në ndonjë produkt që t'i shërbejë kombit shqiptar, por askush mos thotë se jam unë në protestë apo është protesta ime. Kjo protestë është e të gjithëve dhe mbi të gjitha shpreh respekt e mirënjohje për të gjithë ju, e sidomos për një djalë që mban flamurin këtu...