Vendimi për Balogun ndezi polemika, por Infantino po shkon drejt mandatit të katërt në krye të FIFA-s
Vendimi i FIFA-s për të anuluar pezullimin e sulmuesit të Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Bosnjë Hercegovinës, ka shkaktuar polemika të forta në botën e futbollit.
Sipas gazetës franceze ‘L'Équipe’, ndërhyrja erdhi pas një telefonate të presidentit amerikan Donald Trump me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke ngritur dyshime për ndikim politik në vendimmarrjen e organit më të lartë të futbollit botëror.
Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq për një ndërhyrje të pavullnetshme, por të rrezikshme ndaj mbrojtësit Tarik Muharemović, gjatë fitores 2-0 të SHBA-së ndaj Bosnjë Hercegovinës në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026. Megjithatë, pezullimi i tij u anulua më pas nga FIFA, një vendim që ka shkaktuar reagime të shumta.
Në analizën e saj, ‘L'Équipe’ kritikon mënyrën se si Gianni Infantino ka drejtuar FIFA-n që nga zgjedhja e tij në vitin 2016, duke e akuzuar se merr vendime të njëanshme dhe se nuk përpiqet më as të ruajë dukjen e pavarësisë institucionale.
Sipas të përditshmes franceze, pavarësisht polemikave të vazhdueshme, asgjë nuk duket se do ta pengojë Infantinon të sigurojë një mandat të katërt në krye të FIFA-s, duke forcuar edhe më tej kontrollin e tij mbi organizatën.