TV publik belg: Rama sërish nën zjarr, 4 mln euro sponsorizim dhe stadium i ri për koncertin e Kanye West

Kryeministri shqiptar Edi Rama po përballet sërish me kritika, këtë herë për vendimin e tij për të ndarë 4 milionë euro nga fondet publike për një koncert të reperit kontrovers Kanye "Ye" West. Kritikët e konsiderojnë këtë investim të tepruar dhe kujtojnë deklaratat antisemite të artistit.

Nga Uma Claessens, VRT NEWS

Të shtunën, më 11 korrik, reperi amerikan Kanye West do të performojë pranë kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Për organizimin e koncertit, qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama ka ndarë rreth 4 milionë euro. Madje, po ndërtohet edhe një stadium i ri, posaçërisht për këtë koncert.

Shqipëria është një nga vendet e pakta evropiane ku reperi lejohet ende të performojë këtë verë. Disa vende të tjera i kanë anuluar koncertet e tij për shkak të deklaratave antisemite, lavdërimeve ndaj Adolf Hitlerit dhe përdorimit të simboleve naziste.

Shumë shqiptarë nuk pajtohen me vendimin e kryeministrit Rama për ta organizuar koncertin. Nën një postim të tij në Facebook u publikuan qindra komente negative.

"Shqipëria turpëron veten duke mirëpritur një këngëtar që admiron Hitlerin", shkroi një komentues.

"Skandaloze, jo me paratë e taksave të mia", shkruante një tjetër.

Edhe Komuniteti Hebre i Shqipërisë, sipas mediave shqiptare, ka reaguar ashpër ndaj koncertit.

"Një koncert i tillë nuk është 'thjesht një koncert'. Ai përforcon një mesazh. Është një legjitimim në sytë e publikut, edhe nëse kjo nuk thuhet drejtpërdrejt", deklaroi organizata.

"Një shtysë për turizmin"

Rama e mbron vendimin e tij dhe thotë se koncerti do të jetë pozitiv për imazhin dhe ekonominë e vendit. Sipas tij, eventi do t'i japë një shtysë turizmit dhe do të sjellë të paktën 100 milionë euro të ardhura, kryesisht falë rezervimeve të hoteleve nga vizitorët e huaj.

"Në momentin e fundit liruam 4 milionë euro për të shmangur turpërimin e Shqipërisë përballë gati 25.000 vizitorëve të huaj nga 80 vende, të cilët kishin blerë tashmë bileta për Kanye West. Shumë prej tyre kishin frikë se koncerti do të anulohej", shkroi Rama në Facebook.

Presioni mbi kryeministrin po shtohet

Kryeministri shqiptar ndodhet prej javësh nën presion të madh politik. Dhjetëra mijëra qytetarë vazhdojnë të protestojnë kundër qeverisë së tij.

Protestat nisën si kundërshtim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti luksoz të familjes Trump në një zonë të mbrojtur natyrore. Demonstruesit e akuzojnë Ramën se po u jep përparësi investitorëve të huaj në dëm të interesave të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Rama beson se resorti do ta forcojë edhe më shumë sektorin tashmë në rritje të turizmit.

Ndërkohë, pakënaqësia nuk kufizohet më vetëm te projekti i familjes Trump. Protestuesit kërkojnë tani ndryshime kushtetuese, fundin e korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.