Haaland ia kalon presionin Anglisë: Ka kombëtare të tjera favorite për ta fituar Botërorin

Erling Haaland beson se Anglia është favoritja absolute në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Norvegjisë dhe se presioni për kualifikimin u takon plotësisht "Tre Luanëve".

Sulmuesi i Manchester City-t, i cili ka qenë një nga ‘yjet’ e turneut me shtatë gola të shënuar, pranoi se nuk e kishte imagjinuar një ecuri kaq të suksesshme të Norvegjisë në këtë Botëror.

"Po, patjetër që presioni është mbi Anglinë. Shanset tona për të fituar Botërorin mbeten të vogla. Ka kombëtare të tjera që janë favorite të qarta dhe Anglia është njëra prej tyre. Mendoj se i gjithë presioni duhet të jetë mbi lojtarët anglezë", deklaroi Haaland me humor në konferencën për shtyp.

Norvegjia siguroi kualifikimin në çerekfinale pas fitores së bujshme 2-1 ndaj Brazilit, ku Haaland realizoi të dy golat e ekipit, të dy të asistuar nga Andreas Schjelderup.

Sulmuesi norvegjez u shpreh se edhe për të vetë rrugëtimi i kombëtares së tij ka qenë i papritur.

"Sinqerisht, nuk e prisja aspak këtë. E kam thënë edhe më parë. Edhe para ndeshjes me Brazilin nuk e imagjinoja një rrugëtim të tillë dhe as tani nuk e besoj plotësisht. Të jesh në çerekfinale të Botërorit me Norvegjinë është befasuese edhe për mua."

Haaland theksoi se fitorja ndaj Brazilit dhe përballja me Anglinë në mesin e tetë skuadrave më të mira të botës janë momente historike për futbollin norvegjez.

"Të luanim kundër Brazilit ishte diçka e jashtëzakonshme për ne. Ta mposhtnim atë dhe tani të përballemi me Anglinë në çerekfinale është diçka shumë e veçantë. Nëse shohim historinë e Norvegjisë, kjo nuk është diçka e zakonshme", përfundoi 25-vjeçari.