Revolucion në Botërorin e Klubeve, në dimër dhe me 48 ekipe

Projekti i Botërorit të Klubeve vazhdon të jetë një nga prioritetet e FIFA-s. Përkundrazi, drejtuesit e futbollit botëror po punojnë për ta kthyer kompeticionin në një turne të qëndrueshëm dhe me rëndësi gjithnjë e më të madhe në kalendarin ndërkombëtar.

Sipas të përditshmes spanjolle AS, Katari është kandidati kryesor për të organizuar edicionin e ardhshëm të turneut. Megjithatë, edhe Meksika ka shprehur interes për ta pritur këtë kompeticion. Presidentja e vendit, Claudia Sheinbaum, ka lënë të hapur mundësinë që Botërori i Klubeve të zhvillohet në territorin meksikan, pas suksesit të ndeshjeve të luajtura atje gjatë Kupës së Botës 2026.

Një nga çështjet më të rëndësishme që po diskutohet mes FIFA-s dhe klubeve lidhet me vendosjen e turneut në kalendar. Nëse organizimi do t'i besohet Katarit, atëherë ekziston mundësia që Botërori i Klubeve të zhvillohet gjatë dimrit, ashtu si Kupa e Botës 2022.

Ideja për ta luajtur kompeticionin në muajt e dimrit nuk është e re. Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, një nga mbështetësit kryesorë të këtij projekti së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, kishte përmendur më herët nevojën për të gjetur një datë të re në kalendar. Sipas këtij skenari, sezoni futbollistik do të organizohej ndryshe, por pa ndërprerë kampionatet kombëtare.

Në diskutime është përfshirë edhe organizata European Football Clubs (EFC), e cila e konsideron Botërorin e Klubeve një burim të rëndësishëm të ardhurash për futbollin evropian. Shifrat e edicionit të kaluar e konfirmojnë këtë: Chelsea fitoi rreth 120 milionë euro si kampion, skuadrat gjysmëfinaliste siguruan nga 100 milionë euro secila, ndërsa Atletico Madrid përfitoi 22.7 milionë euro edhe pse u eliminua që në fazën e grupeve.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që po shqyrtohet është zgjerimi i turneut nga 32 në 48 skuadra. Ky format do t'u jepte mundësi më shumë klubeve nga i njëjti shtet të merrnin pjesë dhe do të sillte një rishpërndarje të kuotave kontinentale.

Në tavolinën e diskutimeve është hedhur edhe ideja që Botërori i Klubeve të zhvillohet çdo dy vjet në vend të çdo katër vjetëve. Edhe pse aktualisht kjo mbetet një mundësi e largët, FIFA nuk e ka përjashtuar si opsion për të ardhmen.