Përplasja financiare mes Petkoviçit dhe Algjerisë, trajneri kërkon 5 milionë euro për largimin

Federata Algjeriane e Futbollit (FAF) dëshiron të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Vladimir Petkoviç, por përballet me një pengesë të madhe financiare. Tekniku zviceran kërkon një dëmshpërblim prej 5 milionë eurosh për të pranuar zgjidhjen e kontratës.

Vendimi për largimin e trajnerit 62-vjeçar vjen pas eliminimit të Algjerisë në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, ku skuadra u mposht 0-2 nga Zvicra. Paraqitja e "Dhelprave të Shkretëtirës" u konsiderua zhgënjyese, ndërsa kritikat u përqendruan te problemet në mbrojtje dhe zgjedhjet për portën, përfshirë aktivizimin e Luca Zidane.

Në opinionin e përgjithshëm, kombëtarja algjeriane nuk ka shfaqur përmirësime të dukshme që prej momentit kur Petkoviç mori drejtimin e skuadrës në vitin 2024.

Situata është bërë edhe më e ndërlikuar për faktin se vetëm pak ditë para fillimit të Botërorit, FAF kishte rinovuar kontratën e trajnerit deri në vitin 2028, me synimin për të garantuar vazhdimësinë e projektit sportiv. Megjithatë, brenda vetëm një muaji gjithçka ndryshoi.

Tashmë konflikti kryesor lidhet me kushtet financiare të largimit. Sipas medieve ndërkombëtare, Petkoviç kërkon pagesën e plotë të kontratës së rinovuar. Nga ana tjetër, federata algjeriane pretendon se ekziston një klauzolë që lejon një zgjidhje miqësore me pagesën e vetëm dy muajve pagë, një shumë që do të ishte rreth 320 mijë euro.

Në mungesë të një marrëveshjeje, Petkoviç ka kërcënuar se do ta çojë çështjen në FIFA, gjë që mund të sjellë një betejë të gjatë ligjore mes palëve.

Ky konflikt pritet të ndikojë edhe në planet e Algjerisë për zgjedhjen e trajnerit të ri, pasi procesi i emërimit të pasuesit të Petkoviçit do të vonohet deri në zgjidhjen e situatës.