Nga kullat te koncerti, Tomorri: Investimet e mëdha po krijojnë terren për lidhje mes biznesit, politikës dhe krimit

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ në SYRI TV, ka hedhur akuza të forta ndaj mënyrës se si qeveria menaxhon investimet strategjike dhe fondet publike, duke deklaruar se modeli i ndjekur nga mazhoranca ka krijuar një klimë ku vendimmarrjet ekonomike lidhen me interesa të ngushta dhe jo me konkurrencën e lirë.

Tomorri theksoi se, Shqipëria po përballet me një sistem ku qeveria ndërhyn drejtpërdrejt në treg, favorizon projekte të caktuara dhe krijon avantazhe për subjekte të veçanta, ndërsa mungon transparenca për mënyrën se si shpërndahen pasuritë dhe burimet publike.

Duke u ndalur te financimi i koncertit të madh ndërkombëtar në Tiranë, Tomorri kritikoi përdorimin e fondeve shtetërore për një aktivitet privat, duke ngritur pikëpyetje mbi përfitimin real ekonomik për qytetarët dhe buxhetin e shtetit.

Sipas tij, pretendimet për një impakt të jashtëzakonshëm financiar nuk përputhen me llogaritjet ekonomike, ndërsa krijohet një precedent ku paratë publike përdoren për të mbështetur iniciativa private.

Pjesë nga deklarata:

Që imazhi i Edi Ramës përballë ndërkombëtarëve, përballë Perëndimit, është grisur, kjo tashmë është një fakt. Dhe ka qenë një meritë shumë e madhe edhe e protestës.

Sigurisht, tashmë çdo media nuk ka më ato shkrimet që dikur sponsorizoheshin me para nga Tirana, të cilat e nxirrnin zotërinë si kryeministrin trend, vizionarin, reformatorin e madh, basketbollistin që zbukuroi Tiranën. Tani, në vend të zbukurimit të Tiranës, mediat dhe ndoshta edhe deputetët e Parlamentit Evropian po njihen me Albanian Files. Pra, nuk njohin më njeriun që zbukuroi Tiranën, por njohin njeriun që ka bërë plane për projekte, që bën bashkë arkitektët, figurat më të njohura të arkitekturës botërore, me bandat kriminale dhe trafikantët. Në këtë pikëpamje, besoj se imazhi i zotit Rama tashmë ka rënë. E gjithë ajo maskë, apo ajo fasadë, që ai e kishte ndërtuar përmes propagandës, përmes lobimeve dhe atyre fakteve të tjera...

Sigurisht që po bëhet i pambrojtshëm. Shiko, i bën përshtypje një zyrtari të Bashkimit Evropian fakti që një kryeministër mund të jetë pjesë e një libri, apo mund të jetë ideatori ose edhe zbatuesi i një libri, i cili rrafshonte zonat e mbrojtura dhe instalonte mbi 500 kulla.

Sepse në Evropë dhe në botën perëndimore askush nuk e ka atë fuqi. Në Evropë, në botën demokratike, një udhëheqës nuk e ka fuqinë të caktojë katet e kullave, ngjyrën e kullave, ndërtuesin e kullës apo vendin ku do të ndërtohet ajo. Nuk e ka fuqinë t'i imponojë biznesit se cilin arkitekt duhet të marrë apo me cilin arkitekt duhet ta bëjë projektin. Nuk e ka fuqinë ta fusë krimin në biznesin e ndërtimit dhe t'i japë garanci për të pastruar paratë. Prandaj habiten dhe surprizohen deputetët e Bashkimit Evropian.

Shiko, ke marka ndërkombëtare nga më të njohurat të hotelerisë, të cilat kanë dhënë emrin për subjekte që tashmë janë të sekuestruara për trafik droge. Meliá dhe të tjera. Këto marka i kanë shpëtuar kësaj edhe në Kolumbi, edhe në Meksikë, edhe në narkorepublikat më të mëdha që ka njohur bota. Por nuk i shpëtuan dot në Shqipëri, sepse në Shqipëri u bënë bashkë. I bëri bashkë, sigurisht, sistemi që ka ngritur qeveria.

Jo, unë po them një fakt. Ky fakt ka dalë nga dosjet e SPAK-ut. Sepse një hotel që mban emrin e një prej markave më të njohura të hotelerisë botërore, një hotel në mes të Tiranës, sot është i sekuestruar nga SPAK-u për trafik droge. Pra, këto janë fakte publike. Çështja është se, dakord, ne mund të kemi kritika ndaj SPAK-ut, mund të presim më shumë, SPAK-u mund të bëjë gjëra mirë, mund të bëjë gjëra gabim, mund ta ketë kurajon ose mund të mos e ketë. Problemi më i madh, për mua, është: si arriti Shqipëria deri këtu? Pra, sistemi që e çoi Shqipërinë deri këtu. Dhe ky sistem duhet shembur. Ky sistem është ideuar, është ndërtuar dhe qëndron në këmbë nga një njeri, të cilin sot po e mëson edhe bota.

Nuk ka ndodhur dhe nuk mund të imagjinohet të ndodhë në vende normale që të marrësh paratë e qytetarëve shqiptarë dhe, praktikisht, të shpëtosh financiarisht nga falimentimi një aktivitet që ishte tërësisht privat.

Jo, jo, as i Shqipërisë... Shiko, nuk e dimë qartë ne nëse do të falimentonte Kanye West apo kompania që ka sjellë Kanye West-in në Tiranë e kështu me radhë, sepse as tani nuk e dimë kujt i kanë shkuar paratë dhe për çfarë kanë shkuar. Kjo është një situatë e padëgjuar. Nuk ka qeveri në botën demokratike që të ketë guximin, qoftë edhe ta mendojë, të marrë paratë e qytetarëve për të shpëtuar financiarisht një aktivitet privat.

Madje, nga Fondi i Emergjencës. Ka edhe një pyetje tjetër: po sikur ky koncert të kishte ecur shumë mirë dhe privatët të kishin fituar shumë miliona, a do të merrte shteti ndonjë pjesë nga ai fitim? Ajo historia e 100 milionëve është një gënjeshtër me xhufkë. Sepse, fatmirësisht, ekziston një literaturë shumë e gjerë dhe një bazë shumë e madhe studimore për impaktin ekonomik të koncerteve apo aktiviteteve kulturore, pra për ndikimin që ato kanë në ekonominë lokale.

Jo, ai nuk është edhe aq teorik, sepse ka dalë një multiplikator mesatar që varion nga 1.5 deri në 3. Kjo do të thotë se, për çdo 100 lekë të shpenzuara për një biletë koncerti, ka edhe 150 deri në 300 lekë të tjera shpenzime, që pjesëmarrësit i bëjnë për akomodim, ushqim, transport e të tjera.

Tani, sipas llogarive të Kryeministrit, kanë ardhur 25 mijë veta, por unë besoj se edhe ajo shifër nuk është reale, sepse tani kanë filluar t'i shpërndajnë biletat. Kanë dalë këto historitë që po i shpërndajnë nëpër institucione, madje edhe nëpër gjimnaze.

Por, në rastin më të mirë, nëse marrim 25 mijë persona me një çmim mesatar prej 250 euro për biletë, shkon plus-minus 6 milionë euro. Pra, 6 milionë euro shumëzoji me 3; në rastin më të mirë shkon 18 milionë, le të themi 20 milionë euro. Ti nuk i mbledh dot mbrapsht ato para. Pra, buxheti ka hyrë në një operacion me humbje.

Por nuk është shqetësues fakti që buxheti humbi disa para. Shqetësues është precedenti që po vendoset dhe fakti se si qeveria e ka guximin, pra ky Kryeministër, të cilit njerëzit i kanë dalë në shesh.