Goditen 6 subjekte të këmbimit valutor në Berat, 11 masa sigurie dhe sekuestro mbi 118 mijë euro e 8.8 milionë lekë

Policia e Beratit ka ekzekutuar 11 masa sigurie në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.

Sipas Policisë, janë vendosur 4 masa sigurie “Arrest në shtëpi”, ndërsa për 7 persona është caktuar masa “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” si dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Nga hetimet ka rezultuar se në gjashtë subjekte të transfertave të parave, të vendosura në Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Dimal, të administruara ose me të punësuar personat nën hetim, ushtrohej aktivitet i këmbimit valutor pa licencën përkatëse, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8.808.000 lekë, 118.425 euro, 7.390 dollarë amerikanë, 665 paund britanikë, 110 franga zvicerane, si dhe 12 telefona celularë, 4 pajisje DVR, 2 USB dhe 1 laptop.

Hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit, për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm dhe përgjegjësive penale të personave të përfshirë.

Njoftimi i Policisë:

DVP Berat/ Nga Seksioni për Hetimin e  Krimeve ekonomiko-financiare, nën drejtimin e Prokurorisë Berat u ekzekutuan 11 masa sigurie.

4 masa sigurie "Arrest në shtëpi" dhe 7 masa sigurie "Detyrimi për t'u paraqitur në Policinë Gjyqësore" dhe "Ndalimi i daljes jashtë shtetit".

Gjatë hetimeve ka rezultuar se në 6 subjekte për transferta parash, në Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Dimal, të cilat administroheshin dhe kishin të punësuar këta shtetas, kryhej këmbim valutor, pa qenë pajisur me licencën e nevojshme sipas ligjit.

Nga kontrollet në këto subjekte, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 8 808 000 lekë, 118 425 euro, 7390 dollarë amerikanë, 665 paunde, 110 franga, 12 celularë, 4 DVR, 2 USB dhe 1 laptop.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.