Arsenali arrin marrëveshje pesëvjeçare me ‘dështakun’ e Brazilit nga pika e bardhë
Arsenali ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt transferimit të mesfushorit brazilian Bruno Guimarães, pasi ka arritur një marrëveshje për një kontratë pesëvjeçare me lojtarin. Lajmi raportohet nga e përditshmja franceze ‘L'Equipe’.
Sipas raportimit, Guimarães i ka bërë të ditur Newcastle United se dëshiron t'i bashkohet Arsenalit, me synimin për t'u rikthyer në Ligën e Kampioneve dhe për të konkurruar në nivelin më të lartë evropian.
"Topçinjtë" kanë paraqitur tashmë një ofertë fillestare prej 70 milionë eurosh, por ajo është refuzuar nga Newcastle.
Megjithatë, me brazilianin që ka hyrë në dy vitet e fundit të kontratës së tij, drejtuesit e klubit anglez janë të gatshëm ta shesin për çmimin e duhur. Sipas raportimeve, Newcastle e vlerëson kapitenin e skuadrës rreth 90 milionë euro.
Arsenali pritet të rikthehet në ditët në vijim me një ofertë të përmirësuar, në përpjekje për të mbyllur një nga transferimet më të rëndësishme të kësaj vere.